Statistikat

Biznesi po tkurr investimet, duke paralajmëruar cenimin e rritjes ekonomike dhe rënien e punësimit gjatë viteve në vijim. Të dhënat më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se investimet private në ekonominë shqiptare ranë në vitin 2009, me 2.3 pikë përqindje ndaj produktit të brendshëm bruto, krahasuar me një vit më parë. Fondi parashikon se rënia e investimeve do të thellohet edhe më gjatë vitit 2010, ku vlerësohet se norma e investimeve ndaj GDP-së të arrijë pikën më të ulët që nga viti 2003. Por nëse gjatë vitit të kaluar rënia e investimeve private u kompensua nga rritja e investimeve publike të qeverisë, këtë vit kjo duket më e vështirë. Në dy vitet e fundit 2008-2009, investimet publike arritën rekordin respektivisht 8.6 dhe 8.3 për qind e Produktit të Brendshëm, ku qeveria i siguroi paratë duket rritur borxhin publik. Por rënia e të ardhurave e ka detyruar qeverinë që këtë vit të tërhiqet duke i ulur investimet në 5.5 për qind e GDP. Për këtë arsye, shifra totale e investimeve të kryera në ekonomi, si nga biznesi edhe nga qeveria, së bashku, sipas FMN-së do të ulet në 2010 me 7.1 për qind krahasuar me dy vite më parë.








#