Topalli dje në Lezhë


Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, bëri apel nga Lezha për fuqizimin e rolit të gruas. Duke nxitur orientimin e grave në drejtimin e bizneseve të ndryshme, si agrobiznes, mikrobiznes apo biznese familjare, ajo e vuri theksin te rëndësia e fuqizimit ekonomik të gruas, i cili e bën atë më të pavarur dhe të barabartë me pjesën tjetër të shoqërisë. Unë besoj në fuqizimin e gruas, unë besoj se gruaja ia del, unë besoj se gruaja është edhe më e fortë, edhe më eficiente. Unë besoj dhe dua që më shumë gra të jenë në politikë, më shumë gra të jenë në krye të biznesit, më shumë gra të jenë në çdo fushë, në art, në kulturë, në ferma, në kooperativat që ne duhet të mendojmë të kuptojmë, në marketingun e punëve të dorës, në krye të kantinave të verës etj., u shpreh Topalli. Sipas saj, kur gruaja drejton një biznes, kur gruaja fuqizohet ekonomikisht, ajo prodhon më shumë, ajo ndihmon në rritjen ekonomike, ajo sjell më shumë para në familje, ajo ndihet më me dinjitet në raport me shoqet e saj; çdo grua ndihet më e pavarur dhe, në fund të fundit, ne të gjitha duam të jemi të barabarta me pjesën tjetër të shoqërisë. Unë do të doja që gruaja të ishte më e fuqishme ekonomikisht, që ajo të jetë vetja e saj, që asnjëri të mos thotë se një është ajo që duket, një është ajo që nuk duket.