ADI SHKEMBI

Rivaliteti mes nën-kryetares së PD-së, Jozefina Topalli dhe ministrit Lulzim Ba-sha shfaqet hapur tashmë edhe në sallën e Parlamentit. Pas deklaratave ironizuese në emisione televizive, në mbledhjen e djeshme të Kuvendit dy zyrtarët e lartë të selisë blu janë përplasur publikisht.
Përplasja
Ka qenë pikërisht diskutimi i ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha në seancën për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, ai që ka nxitur debatin mes tij dhe kryeparlamentares. Pasi ka mbrojtur ligjin financiar për dikasterin që drejton, Basha ka deklaruar se Edi Rama kishte lobuar në Bruksel dhe në Tiranë kundër liberalizimit të vizave, por kryetarja e Kuvendit, Topalli, i ka kërkuar ministrit të mbyllë fjalën për shkak se kishte kaluar kohën e parashikuar në rregulloren e Parlamentit. Pasi i ka bërë këtë kërkesë, Topalli i ka prerë fjalën Bashës dhe leximi i materialit nga ana e ministrit mund të dëgjohej vetëm në sallë, por jo në televizion. Nga ana e tij ministri i Brendshëm ka vazhduar të akuzojë kryetarin e PS-së, ç’ka duket se e ka detyruar Topallin t’ia hapë sërish mikrofonin. Por disa sekonda më pas ajo i kërkoi Bashës të largohej nga podiumi, pasi kishte kaluar limitin kohor. Paralelisht me këtë kërkesë, për të dytën herë, drejtuesja e seancës i ndërpreu sërish fjalën. Ministri i Brendshëm, fillimisht qëndroi në podium, duke mos pranuar të largohej pa mbaruar fjalimin, por disa çaste më pas ai u largua në drejtim të karriges së tij.
Rivaliteti
Kjo është hera e parë që nënkryetarja e PD-së dhe ministri i Brendshëm shfaqin hapur rivalitetin përballë njëri-tjetrit, pas disa deklaratave në emisionet televizive. Pak kohë më parë, gjatë një interviste televizive, kryeparlamentarja i quajti barsoleta, zërat që e vendosin Bashën si pasardhës të Kryeministrit Berisha. “Mos kallëzo barsoleta tashti”, iu përgjigj ajo gazetarit, kur u pyet nëse Basha mund të ishte kryetari i ri i PD-së pas largimit të Berishës. Rivaliteti në distancë mes dy zyrtarëve të PD-së bëri që Basha të mos merrte dy muaj më parë as postin e kryetarit të grupit parlamentar, pasi siç bënë të ditur burimet nga selia blu në atë kohë, këtë nuk e kishte pranuar pikërisht Topalli, për shkak të marrëdhënieve të ftohta mes tyre. Ky rivalitet u pa edhe në diplomaci gjatë dy viteve të fundit të mandatit të parë të PD-së, kur Basha mbante postin e ministrit të Jashtëm.