Emërimi i Maksim Malajt, si shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë solli rifreskim të strukturave të saj. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje emërimin dhe shkarkimin e disa drejtuesve të strukturave të FA-së, të cilët e kanë zanafillën që nga emërimi i z. Maksim Malaj si shef i Shtabit të Përgjithshëm. Malaj u dekretua në këtë post pak ditë më parë nga Presidenti, çka ka sjellë lëvizjen e shumë drejtuesve të tjerë që thuaje pësojnë ngritje në detyrë. Ndryshime pësojnë Brigada e Reagimit të Shpejtë, Universiteti Ushtarak, “Skënderbej”, Komanda Mbështetëse të Forcave të Armatosura, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes etj.


Dekretet


Plot tetë dekrete të Presidentit të Republikës Bamir Topi sjellin rifreskim në strukturat që drejtojnë FA-në. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, Presidenti Topi dekretoi dje lirimin e komandantit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Komandën e Forcës së Bashkuar, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, i cili ka marrë tashmë emërimin si shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave te Armatosura në vend të Luan Hoxhës. Në vend të tij shkon Viktor Bërdo i cili vjen nga drejtimi i Universitetit Ushtarak “Skënderbej”. Kështu, Presidenti Topi dekretoi emërimin e komandantit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë, Gjeneral Brigade Viktor Bërdo.


Duke dekretuar njëkohësisht shkarkimin e tij si komandantit dhe zv/rektor i Universitetit Ushtarak “Skënderbej”. Njëkohësisht, Presidenti Topi dekretoi emërimin e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Zyber Dushku si zëvendës i Maksim Malajt. Në krye të Forcës së Bashkuar të FA-së shkon Agim Lala, i cili është shkarkuar me dekret të Presidentit nga drejtimi i zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm. Kështu Presidenti dekretoi emërimin e komandantit të Forcës së Bashkuar të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Agim Lala si dhe shkarkimin e tij si zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.


Njëkohësisht, Presidenti Topi dekretoi emërimin e komandantit të Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Vladimir Qirjazi duke dekretuar shkarkimin e tij si zëvendëskomandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.


Shkarkimi i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm nga ky post solli nevojën e gjetjes së një tjetër emri për ta zëvendësuar atë. Kryeministri Berisha propozoi në vend të tij Gjeneral Brigade Maskim Malajn.











PDS: Berisha po zvarrit ”Gërdecin”





Partia Demokracia Sociale denoncoi dje përpjekjet e Kryeministrit Berisha për moszbardhjen, fshehjen e fakteve, si dhe zvarritjen e procedurave që do të përshpejtonin dhe ndihmonin Prokurorinë e Përgjithshme të zbardhte ngjarjen e Gërdecit. Sipas sekretarit politik të kësaj partie, Artur Duçkallari, kambanat e alarmit “që me të drejtë kanë shqetësuar jo vetëm Departamentin e Shtetit, por dhe një sërë kancelarish të tjera në Evropë, si dhe përfaqësuesit e tyre në vendin tonë, për ligjin e ri të organit të akuzës me të cilin z.Berisha po ëndërron të fusë nën thundrën e tij me ligj edhe Prokurorinë e Përgjithshme, sot duhet të zgjojnë dhe rikthejnë në sheshe të gjithë opozitën e majtë, për rastin më flagrant të kapjes, që një kryeministër i inkriminuar dhe i korruptuar kërkon t’i bëjë organeve të pavarura të drejtësisë”. Duçkallari konstatoi me keqardhje që vendi sot ende qeveriset nga një kryeministër dhe qeveri non grata jo vetëm për shqiptarët, por dhe për partnerët tanë strategjikë euroatlantikë.








LSI: Rama jep leje ndërtimi të kundraligjshme





Vazhdon sulmi i LSI-së në adresë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, referuar një vendimi të KKRRT-së së Tiranës, akuzon kreun e Bashkisë së Tiranës se ka dhënë lejen e ndërtimit për pallate banimi mbi klubin sportiv “Partizani”, ku përfitues është edhe dhëndri i Kryeministrit Berisha, Jamarber Malltezi dhe motra e tij. “Ky vendim ka shkelur në mënyrë flagrante dy ligje, ligjin mbi urbanistikën dhe ligjin për sportin, duke asgjësuar ambientet e klubit sportiv “Partizani” për qëllime biznesi të familjarëve të Berishës”, - tha Vasili. Ai vuri në dukje se ky skandal është pjesë e ofensivës së pandalshme për masakrimin e të gjitha hapësirave të gjelbra dhe të gjitha terreneve sportive në qytetin e Tiranës.