Sipari ulet ngadalë, mbyll skenën e teatrit "Verdi" të Triestes e shënon përfundimin e shfaqjes së operës "Toska". Publiku në sallë shpërthen duartrokitjet pafund që ftojnë në skenë artistët. Ata dalin njëri pas tjetrit. Në fund, me hap të sigurt hyn "Toska", sopranoja shqiptare, Miriam Tola. Shpërthejnë fuqishëm duartrokitjet, që shtohen edhe më tepër kur Miriami me bukurinë, elegancën e thjeshtësinë e saj përulet para publikut, zgjat krahët dhe me pas i kryqëzon në gjoks të saj, "i mbledh" këto duartrokitje si buqetën më të bukur e shpërblimin më të mirë të punës së saj. Thirrjet "Bravissima!" nuk mungojnë. Një triumf i talentit, një sukses i "Toskës" shqiptare, Miriam Tola, në Trieste dhe i dyfishtë është ky sukses kur mësohet se alternon në këtë rol të famshmen soprano italiane, Daniela Dessì. Shfaqja e Toskës e suksesi i artistëve të saj, mes të cilëve si protagoniste në rolin e Floria Toskës sopranoja shqiptare, Miriam Tola, nuk kaloi pa u evidentuar nga shkrimet e kritikëve. Opera çeli stinën lirike e të baletit 2008-2009 të teatrit "Verdi" të Triestes. Kjo përzgjedhje ishte mes të tjerash edhe një homazh për 150-vjetorin e lindjes së kompozitorit të saj Puçini. Në një intervistë për gazetën, sopranoja shqiptare tregon emocionet dhe rrugën e saj drejt suksesit.



Protagoniste në operën "Toska" e pikërisht në rolin e Floria Toskës, një rol impenjativ që në të njëjtën kohë dëshmon rritjen profesionale. Si e pritët propozimin?



Faleminderit për intervistën, është e para në gjuhën shqipe për mua. Ky rol nuk është i pari që më ngjit në skenën e teatrit të Triestes. Në vitin 2007 më thirrën për të bërë rolin e Suor Anxhelikës në operën me të njëjtin titull të kompozitorit toskan, Xhakomo Puçini, dhe një vit më vonë, me operën "Shtatë mëkatet kapitale" të K. Weill ku interpretova rolin e Anës. Pas këtyre interpretimeve, Drejtoria e Teatrit më propozoi rolin e Françeskës në operën e kompozitorit Rikardo Xandonai "Françeska nga Rimini", rol i cili për hir të vështirësisë vokale dhe interpretative këndohet nga shumë pak soprano në botë. Fillimisht ishte parashikuar për hapjen e sezonit 2008-2009. Më pëlqeu menjëherë ky rol dhe e studiova shumë shpejt. Po për arsye fondesh, teatri vendosi të ndërrojë titullin e inaugurimit me Toskën, rol të cilin e kam kënduar shpesh. Nuk ishte hera e parë për mua që interpretoja këtë personazh, të cilin e dashuroj dhe e pëlqej jashtë mase, pasi është shumë i përshtatshëm për vokalitetin tim. Ndërsa bashkëpunova me dirigjentin Donato Renxeti, një nga emrat më të njohur të arenës ndërkombëtare.



Si janë ditët tuaja kur realizoni një rol të tillë. Si fillon puna?



Fillimisht kërkoj të kuptoj se kush është personazhi, çfarë thotë dhe çfarë karakteri duhet të ketë gjatë gjithë operës. Më pëlqen jo vetëm ta interpretoj nga ana regjisoriale po edhe nga ajo vokale. Nuk është e thjeshtë si punë, kërkon shumë kohë, disiplinë dhe përqendrim të madh. Në rastin e Françeskës kam lexuar shumë literaturë dhe jam këshilluar me muzikantë për sa i përket edhe anës interpretative. I jap shumë rëndësi fjalës, pasi nuk dua të hyj në klishenë e këngëtares që nuk i kuptohet çfarë këndon. Kjo është vetëm një pjesë e punës. Duhen marrë në konsideratë edhe provat e shumta që bëhen deri ditën e fundit me dirigjentin dhe me orkestrën. Kuptohet që lodhja nuk është e vogël, por në fund të shpërblejnë duartrokitjet e publikut, i vetmi "gjyqtar" i vërtetë i artit.



Publiku triestin në prill të këtij viti u ka duartrokitur në rolin e Anës në "Shtatë mëkatet kapitale" të Kurt Weill dhe ju ka ndjekur në rritjen tuaj profesionale. Çfarë domethënieje kishte për ju fakti që "Toska- Mirjam" do të paraqitej pikërisht para këtij publiku?



Ishte një emocion shumë i madh. Në premierë isha shumë e përqendruar në çdo gjë që bëja dhe nuk u besoja veshëve në fund nga duartrokitjet. Duhet thënë që për mua ishte si një provim i vështirë. Publiku triestin është një publik me kërkesa të mëdha, pasi në këtë teatër kanë kënduar legjendat e operës. Kënaqësinë më të madhe e pata sa herë që dilja jashtë teatrit dhe kishte persona që as nuk i kisha njohur ndonjëherë e që prisnin për të më përgëzuar për shfaqjen. Ky është gjykimi më i mirë për mua.



Si lindi te ju dëshira për këngën e në veçanti për atë lirike e operistike?



Ndonjë këngëtare tjetër do ta korrigjonte këtë pyetje duke thënë që fjala këngë nuk është terminologjia e duhur, po për mua është tamam kështu. Do t‘i jem mirënjohëse për gjithë jetën hallës sime, Hatllije Tola, e cila ka qenë mësuese violine për shumë vite në Tiranë. Ajo më dëgjonte kur isha ende fëmijë e këndoja bashkë me miqtë e tjerë apo kushërinjtë moshatarë. Edhe sot tregon se zëri im dëgjohej mbi të tjerët dhe shumë fort. Akoma nuk e dija se cili do të ishte fati im disa vite më vonë, ku falë këshillave të këngëtarit të mirënjohur, Gaqo Çako, i cili sapo më dëgjoi në moshën 14-vjeçare tha: "Ky është një zë i veçantë!"



Që nga kjo moshë nisi rruga e studimit?



Që atëherë fillova studimet në Liceun Artistik. Vazhdova më pas Akademinë e Arteve të Bukura, ku falë profesoreshës Suzana Frashëri u diplomova në vitin 1994. Pastaj shkova për t‘u perfeksionuar në Moxarteum të Salizburgut me basin rumun, Boris Bakov, dhe me pianistin koncert, maestro Alesandro Mishiashi, që aktualisht bashkëpunon me maestro Rikardo Mutin.



Në cilën skenë keni interpretuar për herë të parë?



Në Salizburg. Këtu hodha edhe hapat e parë të karrierës sime. Punova në Teatrin e Operës ku pata rast të njoh dhe të bashkëpunoj me artistë si Anton Guadanjo, Renzo Xhakieri, Masimo Xaneti dhe të tjerë.



Po në Shqipëri?



Më vjen keq të them, po deri në këtë moment, por edhe unë, ashtu si shumë këngëtarë të tjerë shqiptarë që po këndojnë nëpër botë dhe vlerësohen nga kritika dhe publiku, nuk i kam dëgjuar akoma duartrokitjet e sallave shqiptare. Ndoshta organizatorët e operës në Shqipëri duhet të shohin më shumë drejt këngëtarëve shqiptarë sesa atyre të huaj...



Cili është interpretimi më i dashur për ju?



Nuk është e thjeshtë të jap një përgjigje të saktë, po në këtë moment ndihem shumë Floria Toska dhe Mimi në "Boheme".



Cilit rol do t‘i riktheheshit?



Suor Anxhelikës. Është roli që më ka njohur me publikun italian, por që atëherë nuk kam pasur më rast t‘i rikthehem. Besoj se sa më shumë ta këndosh një personazh, aq më shumë e përsos.



A ju ka ndodhur të këndoni me artistë të tjerë shqiptarë në të njëjtën skenë në Itali apo jashtë saj?



Në të njëjtën opera jo, po në të njëjtën mbrëmje unë kam interpretuar rolin e Anës te "Shtatë mëkatet kapitale" dhe baritoni durrsak, Gëzim Myshketa, interpretoi rolin e Sem te "Stuhi në Tahiti" të L. Bernshtajn.



A keni ndonjë model këngëtareje lirike së cilës i referoheni e që ju ndihmon në ecjen tuaj?



Janë shumë, por e them me keqardhje që i përkasin së kaluarës. Mund të përmend Gena Dimitrova, Maria Kiara, Renata Skoto, Lejla Gensher, Renata Tebaldi, Mirela Freni, Zinka Milanov, Aprile Milo deri tek e paarritshmja Maria Kalas.



A ju është dhënë mundësia që të këndoni arie shqiptare në skenat e huaja? Sa e njohin kolegët tuaj Shqipërinë e kulturën e saj?



Ka pasur disa raste, ku organizatorët e ndonjë koncerti më kanë kërkuar nëse mundja të këndoja ndonjë pjesë shqiptare. Këtë dëshirë ua kam plotësuar menjëherë. Një gjë e tillë nuk ndodh shpesh, por kur është mundësia e bëj me gjithë qejf. Para disa vitesh, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, bëra një recital në formë bamirësie për mbledhje ndihmash. Aty mori pjesë edhe kori i Teatrit të Salizburgut, të cilët interpretuan disa pjesë në gjuhën shqipe. Ka qenë një mbrëmje shumë emocionuese dhe e paharrueshme.



Një mesazh për bashkatdhetarët, lexues të kësaj gazete?



Do të më pëlqente që nëpër sallat e teatrove nëpër botë të kishte edhe më shumë publik shqiptar. Nuk jemi pak këngëtarë dhe do të na pëlqente të dëgjonim ndonjë brohoritje edhe në gjuhën tonë.