Të gjitha institucionet apo individë të caktuar që nuk do ti përgjigjen në kohë rekomandimeve të Avokatit të Popullit do të përfundojnë në Prokurori.


Lajmin e bëri të ditur Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili nga studio e lajmeve në Ora News tha se institucioni i tij ka ngritur një grup ekspertësh për të shqyrtuar mundësitë e kallëzimit penal, pasi pothuajse asnjë prej rekomandimeve nuk është marre parasysh.


Totozani: Ne kemi ngritur një grup të vogël ekspertësh, të cilët po shikojnë mundësinë nëse kemi të drejtë apo jo të bëjmë kallzim penal apo të rekomandojmë ndjekje penale për ata funksionarë shtetërore, pavarësisht nga rangi i tyre, që nuk i përgjigjen Avokatit të Popullit. Në ato momente që dikush nuk do të na përgjigjet një herë, dy herë sipas ligjit, herën e tretë do ta gjejë veten në Prokurori.


Duke marrë shkas nga humbja e jetës së dy fëmijëve të komunitetit rom, Totozani tha se raste të tilla janë të papranueshme ndërsa asnjë prej 61 Bashkive nuk i është përgjigjur rekomandimeve për përmirësimin e situatës.


Totozani: Kemi nisur këtë rekomandim dhe kanë kaluar plot dy javë e diçka që ende nuk kemi asnjë përgjigje nga asnjë kryetar bashkie i Republikës së Shqipërisë, asnjë përgjigje nga 61 kryetarë bashkie pikërisht për këtë masë që themi, për vendstrehimet e përkohshme.


Sipas Totozanit, problemi më i madh që kanë sot qytetarët, është varfëria.


Totozani: Varfëria, papunësia dhe një humbje deri diku shprese që është shpjeguar dhe me ikjen e një numri të madh shqiptarësh nga Shqipëria. Ky është problemi makro, mungesa e një prespektive të qartë jetese.


Totozani kërkoi më shumë vëmendje nga institucionet shtetërore për të marrrë në konsideratë problemet e grupeve vunerabël.


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter