Tiranë- Prokuroria për Krime të Rënda i kërkoi dje gjykatës të shpallë fajtorë dhe të dënojë me rreth një shekull burg, të pandehurit e dosjes së njohur si “Durrësi 2”, pjesë e të cilës ka qenë edhe Endrit Dokle. Dy seanca më parë, 7 nga tetë të pandehurit e këtij procesi kërkuan të gjykohen me procedurë të shkurtuar, ndërsa Dokle, i cili është pjesë edhe në procesin ndaj anëtarëve të “Bandës së Durrësit”, do të gjykohet me procedurë normale. Gjatë seancës së djeshme, prokurori Anton Martini tha se të pandehurit janë përgjegjës për trafikimin e rreth 33 kilogramëve heroinë në Itali, të ndara në disa episode. Sipas tij, Isuf Buna dhe Shefqet Vata duhet të dënohen me nga 18 vjet heqje lirie, pasi dyshohen si dy organizatorët kryesorë të linjës së trafikut, së bashku me të pandehuri Dokle, i cili drejtonte grupin nga qelitë e paraburgimit. Hetimet për këtë linjë trafiku kanë nisur nga Prokuroria për Krime të Rënda, pas interceptimit të disa bisedave telefonike të Endrit Dokles, gjatë kohës që ndodhej në proces gjyqësor për një sërë krimesh të rënda, në kuadër të organizatës kriminale. Gjatë konkluzioneve përfundimtare, prokurori tha se të pandehurit kanë përdorur për transportin e heroinës drejt Italisë një shtetas kosovar, i cili e dorëzonte lëndën narkotike te njerëzit që i gjente Dokle. Veprimtaria e të dyshuarve është zhvilluar gjatë periudhës 2008-2009, kohë gjatë të cilës grupi i drejtuar nga Dokle dhe i financuar nga Isuf Bunaj e Shefqet Vata kanë trafikuar drejt Italisë sasinë prej 33 kilogramësh heroinë, pjesa më e madhe e së cilës është kapur nga policia italiane. Sipas Prokurorisë, personat që siguronin shpërndarësit e drogës ishin Endrit Dokle, Jorid Xhunga e Edmond Taullai, të arrestuar që në maj të këtij viti, pas operacionit të koduar “Ura”. Sipas prokurorisë, hetimet për këtë grup kriminal fillimisht kanë nisur në Prokurorinë e Durrësit, pas vrasjes së vëllait të Klodian Saliut, Arjanit, dhe plagosjes së Denis Hoxhës, ngjarje e ndodhur në datën 1 shtator të vitit 2008. Nga përgjimet telefonike të personave që dyshohet se mund të kishin lidhje me këtë ngjarje, një prej të cilëve ishte edhe Endrit Dokle, Prokuroria e Durrësit ka bërë një tjetër zbulim, trafikun e heroinës nga Shqipëria në Itali dhe për këtë arsye, dosja i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.