Drejtori i QKR-ës, Tomi Kola hedh poshtë akuzat ëpr mosbashkëpunim me Prokurorinë

TIRANE – Qendra Ndërkombëtare e Regjistrimit (QKR), ka shpjeguar dje zyrtarisht se fshirja e emrit të Vajzës së Fahri Balliut, Henris Balliu, nga regjistri elektronik, ku ajo figuronte se aksionere në një kompani, është një procedurë normale, që është bërë me vullnetin e aksioneres dhe administratorit të kompanisë. Nga ana tjetër, QKR, ka hedhur poshtë edhe sajesat e shtypit sipas të cilave, ky institucion nuk ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Përgjithshme, apo se ka fshehje të dosjeve të kompanive të Mihal Delijorgjit.
“QKR ka vënë në dispozicion të Prokurorisë së Përgjithshme gjithçka ka poseduar për personin në fjalë si për rastin kur është kërkuar informacion nga regjistri tregtar dhe për rastet kur është kërkuar sekuestrim i dosjeve”, shpjegoi dje midis të tjerave, Tomi Kola, drejtori i QKR-ës në një konferencë shtypi.

Regjistri elektronik
Fillimisht Kola, ka sqaruar procedurën sipas të cilës vepron QKR-ja.
“QKR funksionon në bazë të sistemit elektronik, i konfiguruar në forme të tillë që çdo veprim pasqyrohet dhe ruhet me besnikëri dhe saktësi në memorien elektronike të regjistrimit të të gjitha veprimeve që kryhen në sportelet tona. Pra, sistemi elektronik i QKR nuk mund të manipulohet nga njeriu dhe si pasojë e kësaj filozofie çdo dosje biznesi nuk mund të preket në kuptimin që të ndryshohen, fshihen, shtohen apo pakësohen të dhënat”, u shpreh Kola.
Më pas, duke u ndalur te akuzat e një pjese të medias, për manipulime dhe fshirje në ekstraktin e shoqërisë “Trans Digging Construcion” të emrit të një aksioneri dhe konkretisht të vajzës së z. Fahri Balliu, Henris Balliu.
“Kjo akuzë është krejtësisht e pavërtetë sepse: së pari, në datën 8 prill 2009 u paraqit pranë sportelit të QKR personi i autorizuar nga administratorja e kompanisë në fjale dhe aplikoi për dhurimin e kuotave të aksioneres Henris Balliu në favor të z. Kristo Delijorgji; së dyti, pasi u shqyrtua rregullsia e dokumentacionit ky aplikim u miratua nga QKR duke realizuar në këtë mënyrë vullnetin e lirë të aksioneres Henris Balliu; së treti, ky veprim i miratuar në QKR solli për pasojë ndryshimin e listës së ortakëve të shoqërisë ‘Trans Digging Construcion’ në regjistrin tregtar; së katërti, në ekstraktin e gjendjes aktuale të shoqërisë nuk figuron më emri i aksioneres Henris Balliu. Veprimi i mësipërm është keqkuptuar dhe për pasojë keqinterpretuar nga gazetarë të cilët në padijeni të fakteve të mësipërme dezinformojnë opinionin publik”, u shpreh drejtori i QKR-ës, Tomi Kola.

Bashkëpunimi me prokurorinë
Më pas, Kola është ndalur edhe në hedhjen poshtë të akuzave për mosbashkëpunim të këtij institucioni me Prokurorinë e Përgjithshme.
“QKR është akuzuar gjithashtu për mosbashkëpunim institucional me Prokurorinë e Përgjithshme për dosjet e shoqërive në pronësi të z. Mihal Delijorgji. Akuza është e pavërtetë. QKR ka vënë në dispozicion të Prokurorisë së Përgjithshme gjithçka ka poseduar për personin në fjale si për rastin kur është kërkuar informacion nga regjistri tregtar dhe për rastet kur është kërkuar sekuestrim i dosjeve”, ka bërë ët ditur drejtori i QKR-ës.
Jo vetëm kaq, por sipas Kolës, ky institucion, për të ndihmuar punën e organit të akuzës, është treguar i gatshëm në kthimin e përgjigjeve, shumë më shpjet nga sa ishte limiti i fundit kohor, i kthimit të përgjigjeve të mundshme.
“ Vlen të theksohet se QKR për të ndihmuar Prokurorinë e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje kësaj të fundit në një periudhë kohe jo më shumë së gjashte ditë kalendarike pavarësisht se obligimi ligjor parashikon dyzetë ditë për kthim zyrtar të përgjigjeve. Kjo vërtetohet nga korrespondenca e QKR me Prokurorinë e Përgjithshme e cila është e protokolluar në institucionin tonë”, ka përfunduar drejtori i QKR-ës, Tomi Kola.

...