Dëmshpërblimi

Trashëgimtarët e viktimave të Gërdecit kanë paditur Këshillin e Ministrave, si një person juridik publik, duke u bazuar në ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave". Sipas padisë, qeveria duhet të përgjigjet civilisht, me pasurinë e saj, për shkak të miratimit të vendimit nr.138, datë 14.03.2007, që nuk arrin të rregullojë të gjithë procedurën siç parashikohet në ligj, si dhe për shkak të mosveprimit të Kryeministrit, për të siguruar zbatimin e atij vendimi. “Siç del nga aktet e administruara në dosje, Këshilli i Ministrave ka miratuar me vendimin e tij nr.138, datë 14.03.2007, procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, nga ku zë fill gjithë kjo veprimtari demontimi, e cila ka sjellë këtë pasojë kriminale. Megjithëse synon të ketë normuar të gjithë procedurën, Këshilli i Ministrave nuk ka arritur me atë vendim që të normojë momente të tilla si: mënyrën e përzgjedhjes së kontraktorit për shitjen e municioneve për demontim, çfarë ndodh dhe kush mban përgjegjësi nëse ai dëmton të tretët, çfarë lloj kushtesh sigurie duhet të plotësojë, a duhet të depozitojë ndonjë garanci për llogari të ministrisë në rast dëmi, pasi është një veprimtari me burim rreziku të shtuar etj.”, thuhet në padi. Sipas saj, të gjitha këto çështje, por edhe të tjera janë lënë pa trajtuar në atë VKM. Sipas padisë, Kryeministri ka disa kompetenca specifike, për shembull kur një ministër miraton një urdhër në kundërshtim me ligjin apo me një vendim të Këshillit të Ministrave, Kryeministri e pezullon aktin menjëherë dhe e shfuqizon atë pas shqyrtimit. “Nga tërësia e akteve të administruara në dosje rezulton se Kryeministri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që të përmbushë detyrimin e tij kushtetues, pra të siguronte zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave”, thuhet në padi.






#