Kompanisë amerikane “AEY Ltd”, drejtuesi i së cilës tashmë jo vetëm është nën hetim, por i duhet të dalë dhe para Kongresit Amerikan për të dhënë shpjegime, ia “futi” ndërmarrja “Meico”. Ky ishte ndër deklarimet më të forta të dhënë dje nga biznesmeni Kosta Trebicka, në një intervistë në një televizion vendor, menjëherë pas kthimit të tij në atdhe. I kontraktuar fillimisht nga kompania amerikane “AEY” për të bërë paketimin e fishekëve që duhej të shkonin nga Shqipëria drejt Kabulit, Trebicka rindërtoi dje të gjithë momentet e para të kontratës së punës mes tij si përfaqësues i “AEY”-së dhe ndërmarrjes shtetërore “Meico”. “Në Rinas ku bëhej paketimi i fishekëve, vinin fishekë të prodhimit kinez të përzier me fishekë shqiptar. Kur i pyeta se përse sillnin fishekë kinezë dhe jo shqiptarë, nuk merrja përgjigje, por jam i sigurt se Diverolit i mbeti malli në dorë, pasi kishte marrë lejen e punës nga Pentagoni dhe duhej të përmbushte kontratën prej 300 milionë dollarësh që kishte firmosur me të”. Trebicka bëri dje me dije në emisionin e televizionit vendor dhe një llogari, në bazë të së cilës xhiroja e tregtisë së municioneve që do të shiteshin nga Shqipëria shkonin në miliona dollarë. Më tej ai foli edhe për takimet që ka pasur me autoritete të ndryshme amerikane, të cilat i ka vënë në dijeni në lidhje me ngarkesat e fishekëve kinezë që po i shiteshin qeverisë amerikane. Në një pjesë të intervistës, Trebicka foli edhe për takimin e tij me Shkëlzen Berishën, për të cilin ai tha se e kishte vënë në dijeni që mund të merrej nën hetim nga autoritetet e Departamentit të Mbrojtjes, pasi Ylli Pinari e kishte përfshirë emrin e tij në afera aspak të qarta, të cilat po hetoheshin. Në bisedën e tij, Kosta Trebicka përmendi dhe dy takimet me ish-ministrin Fatmir Mediu. Takimin e parë ai e kishte kërkuar vetë, për të vënë në dijeni kreun e Mbrojtjes për problemet e kontratës që kishte firmosur “Meico” me amerikanët dhe shkeljet që ai dyshonte që po bëheshin, ndërsa takimi i dytë, sipas Trebickës, është bërë, pasi në zyrën e Mediut kishte qenë gazetari i “New York Times”, që i kishte përmendur Mediut afera të dyshimta në tregtinë e municioneve drejt Afganistanit. Sipas Trebickës, në takimin e dytë Mediu, mesa kishte kuptuar ai, kishte kërkuar negocimin e biznesmenit shqiptar për të bllokuar shkrimin në gjigantin mediatik, në një kohë që gazetarit i ishte vjedhur kaseta e intervistës që ai i kishte bërë vetë Trebickës në Rinas, në lidhje me dyshimet e tij për aferat e paqarta të tregtisë së municioneve.