• Atmosfera në rrugët e Tiranës ishte elektrizuar nga lajmi se Shqipërisë iu dha ftesa për anëtarësim në NATO, kur biznesmeni Kosta Trebicka që denoncoi tregtinë...

Trazhgim Sokolaj

... ilegale të fishekëve nga ndërmarrja shtetërore MEICO dëshmonte në Prokurorinë e Përgjithshme. Duke i shpëtuar në një mënyrë perfekte vëmendjes së medias, biznesmeni shqiptaro-amerikan ka hyrë në godinën e Prokurorisë së Përgjithshme për të shkuar më pas në zyrat e hetuesve të dosjes "Gërdeci", ku ka dhënë deklarimet e tij të para. Pronari i kompanisë "Xhoi", i cili ishte nënkontraktuar nga firma AEY, që blinte municione për ushtrinë afgane në emër të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, dëshmoi dje për prokurorët e dosjes "Gërdeci" për me tepër se tri orë. Sipas burimeve hetimore, Kosta Trebicka i dorëzoi Prokurorisë edhe bisedën e përgjuar mes tij dhe biznesmenit amerikan Efraim Diveroli të bërë publike vetëm pak ditë më parë në media. Në këtë bisedë të përgjuar flitet rreth përpjekjeve që Ylli Pinari po bënte për të rritur çmimin e shitjes së fishekëve dhe futjen në lojë të kompanisë që kishte në pronësi Mihal Delijorgji. Trebicka ka dëshmuar veprimet konkrete të drejtorit të ndërmarrjes MEICO në Ministrinë e Mbrojtjes, me qëllim shmangien e kompanisë "Xhoi" nga paketimi i fishekëve për të futur në lojë një firmë shqiptare, e cila rezulton të jetë në pronësi të Mihal Delijorgjit. Prokurorët preferuan të mbajnë hermetike të dhënat tjera rreth dëshmisë së Kosta Trebickës, duke pohuar se pyetjet që i janë drejtuar biznesmenit kishin të bënin me deklarata dhe fakte të publikuara më parë nga intervistat e dhëna nga Kosta Trebicka në median elektronike dhe shtypin e përditshëm. Gazeta "Panorama" bëri publik dje faktin se Kosta Trebicka ishte thirrur për t'u marrë në pyetje. Burimet e akuzës i thanë gazetës se pasi të dokumentoheshin pretendimet e Kosta Trebickës, ato do të verifikohen nga prokurorët e ngarkuar me hetimin e çështjes. Zyra e kryeprokurores Ina Rama, konfirmoi mbrëmë se prokurorët e dosjes "Gërdeci" do të vazhdojnë edhe sot marrjen në pyetje të Kosta Trebickës për të vijuar seancën e dëshmisë që filloi ditën e djeshme.
Dëshmia për trafikun
Kosta Trebicka është pyetur nga prokurorët rreth pozicionit të ish-drejtorit të ndërmarrjes MEICO në tregtinë ilegale të fishekëve. Trebickës i janë kërkuar sqarime për gjithçka që di lidhur me abuzimet e Ylli Pinarit në veprimet e kryera me municionet luftarake të destinuara për demontim dhe asgjësim. Nga tre persona për të cilët është pyetur Kosta Trebicka, ai ka fajësuar në mënyrë më të qartë Ylli Pinarin, ish-drejtor i ndërmarrjes MEICO, i arrestuar më 18 mars 2008. Trebicka ka fajësuar ish-drejtorin e ndërmarrjes MEICO për rritjen e çmimit të fishekëve nga 22 në 40 dollarë për një mijë copë. Më pas, Kosta Trebicka ka dhënë sqarime për mënyrën si ka hyrë në kontakt me firmën amerikane AEY dhe administratorin e saj Efraim Diveroli. Në fund, biznesmeni Trebicka është pyetur edhe për pozicionin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Prokurorët kanë kërkuar të dhëna lidhur me takimet dhe bisedat që Trebicka ka pasur me ish-ministrin lidhur me abuzimet e ndërmarrjes MEICO dhe atë që po ndodhte me municionet e ushtrisë shqiptare. Në përfundim të seancës së djeshme të pyetjeve, që prokurorët kishin përgatitur për Kosta Trebickën, ky i fundit u ka dorëzuar atyre edhe kopje të kontratave të nënshkruara prej tij me ndërmarrjen MEICO dhe firmën amerikane AEY. Trebicka mësohet se ka dorëzuar në Prokurori edhe disa dokumente e të dhëna, të cilat ndodhen edhe në duart e autoriteteve hetimore amerikane.


Hetimi për Gërdecin, 3 punëtorë të Delijorgjit pyeten në polici

TIRANE - Tre punëtorë të fabrikës, që firma "Alb Demil" e Mihal Delijorgjit, kishte ngritur në Gërdec janë shoqëruar dje në policinë e Tiranës me urdhër të Prokurorisë. Ata janë marrë në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes, momentin e shpërthimit dhe kushtet e sigurisë në fabrikën e vdekjes. Zyrtarisht burimet hetimore thanë se tre dëshmitarët janë pyetur për të sqaruar rrethana të hetimit. Ndërkaq, sipas burimeve nga hetimi, të shoqëruarit për disa orë kanë qenë Shefki Sefaj, 35 vjeç, banues në Gërdec, punëtor i firmës amerikane SAC dhe më pas i fabrikës së Delijorgjit, Gëzim Gjoni, 48 vjeç, banues në Vorë dhe Ilir Ramollari, 33 vjeç, banues në Valias, ish-punëtor i fabrikës. Tre të shoqëruarit u morën në pyetje nga grupi i hetimit të dosjes "Gërdeci", duke treguar se në fabrikë mungonin specialistët e çmontimit dhe se aty ishin punësuar edhe persona të mitur. Tre dëshmitarët e shoqëruar janë lënë të lirë pasi dhanë sqarimet e tyre për hetuesit e ngjarjes. Nga pyetja e dëshmitarëve dhe provat e mbledhura në Gërdec shkak i ngjarjes dyshohet se ka qenë gabimi njerëzor.t.s