TIRANË - Dy mund të cilësohen ndër pikat më të rëndësishme që patën zhvillimet e hetimeve të dosjes “Gërdeci” gjatë ditës së djeshme. Marrja në pyetje e biznesmenit Kosta Trebicka, si dhe përforcimi i dyshimit të grupit hetimor, se tragjedia ka ardhur për shkak të një gabimi njerëzor.

Pyetet Trebicka

Paralelisht me hetimin e shpërthimit të Gërdecit, grupi hetimor po punon edhe për çështjen e trafikut të municioneve, i denoncuar në media nga biznesmeni Kosta Trebicka, menjëherë pas ngjarjes tragjike. Në shërbim të hetimit, prokuroria thirri dje për të dëshmuar biznesmenin që do të kryente paketimin e municioneve në bazë të kontratës që ndërmarrja shtetërore “Meico” kishte lidhur me firmën amerikane “AEY”. Pikërisht moszbatimi i kësaj kontrate nxiti biznesmenin të denoncojë sipas tij skandalin, duke hedhur dyshime për afera të mundshme korruptive nga drejtori i “Meico”-s, Ylli Pinari, i cili ndodhet në paraburgim me urdhër ndalimi të lëshuar nga prokuroria. Për të dhënë shpjegime rreth kësaj afere, Kosta Trebicka, i kthyer nga SHBA-të në fillim të javës, ditën e djeshme është thirrur dy herë në Prokurorinë e Përgjithshme. Një fakt i tillë konfirmohet nga burime zyrtare pranë këtij institucioni, të cilat thanë se Trebicka ka dhënë shpjegime për gjithçka që lidhet me denoncimin e tij publik. Burime konfidenciale thonë se biznesmeni do të thirret sërish në prokurori, për të dhënë shpjegime më të detajuara edhe ditën e sotme.

Dyshimi

Ngjarja e 15 marsit, ku shpërthime të fuqishme municionesh shkaktuan 23 të vdekur dhe qindra të plagosur, duket se ka ardhur për shkak të një gabimi njerëzor. Konkluzionet paraprake vijnë në ditën e 20-të të hetimit, kur dosja “Gërdeci” është marrë në dorë nga grupi i hetimit, në përbërje të të cilit janë 6 prokurorë dhe 10 hetues. Puna e vazhdueshme e hetuesve për të kërkuar në kraterin e shpërthimit është shpërblyer në një farë mënyre nga analizimi i provave të mbledhura në rrënojat e fabrikës së vdekjes. Bëhet fjalë për një sërë materialesh të mbledhura me kujdes në vendin e ngjarjes, që sipas hetuesve mund të hedhin dritë mbi shkaqet e vërteta të shpërthimit. Burime nga prokuroria thanë se, paraprakisht, bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale të shkaktuar nga një gabim njerëzor, apo mungesa e kushteve të mjaftueshme të sigurisë në një ambient me rrezikshmëri tepër të lartë. Kjo pistë e deklaruar qysh ditën e parë të hetimit, po verifikohet me shumë vëmendje dhe të gjitha provat e mbledhura në funksion të zbardhjes së shkakut të vërtetë të ngjarjes, tregojnë se shpërthimi ka qenë aksidental. Burime nga grupi hetimor nuk mohojnë faktin se në hetim janë dhe pistat e tjera, ku paralelisht po punohet edhe për to. Një ndër të cilat është dhe mundësia e ndonjë akti të qëllimshëm, për shkak të konkurrencës apo qëllimeve të tjerë. Në fakt, nga hetimi prej 20 ditësh prokuroria nuk ka mundur të gjejë asnjë provë të vlefshme që mund të motivojë hetimin e kësaj piste.