robelliNga Enver Robelli


Krimet janë kryer, vrasësit dhe urdhërdhënësit nuk janë dënuar. Bashkësia ndërkombëtare po bën një përpjekje të re që ti jepet fund kësaj situate të patolerueshme në Kosovë. Për këtë dhe miliona arsye të tjera duhet mbështetur themelimin e Tribunalit të ri për trajtimin juridik të krimeve të luftës. Tribunali duhet ta ketë selinë jashtë Kosovës për të shmangur rrezikun e ndikimit mbi të nga nëntoka politike kosovare, e cila vret e pret dëshmitarë


 


Disa njerëz në Kosovë, kryesisht politikanë e patriotë të rrejshëm, mashtrues të pasuruar ilegalisht nga arka e shtetit, të ashtuquajtur gazetarë që shiten në pazarin e marrëzive, armiq të përbetuar të drejtësisë dhe të sundimit të ligjit, kur bëhet fjalë për bashkëkombës, me një fjalë: një shpurë mjaft e çakërdisur po e sheh të nevojshme të deklarohet kundër themelimit të një Tribunali ndërkombëtar, i cili do të merrej me gjykimin e rasteve të rënda, siç janë krimet e luftës.


Kush i kundërvihet drejtësisë ka diçka për të fshehur. Kush sdëshiron të dëgjojë për krimet është cinik.


Që nga përfundimi i gjakderdhjes në Kosovë më 1999 më së shumti në këtë shoqëri ka lulëzuar cinizmi ndaj viktimave. Nëse bëhet fjalë për viktima të nacionaliteteve të tjera, atëherë duhet mohuar gjithçka, thonë patriotët e rrejshëm. Nëse bëhet fjalë për viktima nga radhët e oponentëve politikë shqiptarë, duhet heshtur po ashtu, thuhet më tutje në kanalet e propagandës kuazipatriotike. Viktimat kryesisht shërbejnë për pazare politike. Kjo ligësi duhet të marrë fund, një herë e përgjithmonë.


Kush nuk i jep fund padrejtësisë, ai është urdhërdhënës i saj. Këtë e ka thënë perandori romak Mark Aureli para dy mijë vjetësh. Vlen pa asnjë fije dyshimi edhe sot. Nëse individët, qofshin ata edhe me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë kryer krime, përse shoqëria të bartë këtë njollë të shkaktuar prej tyre? Pse Kosova të shikohet si bursë veshkësh? Përse të përfaqësojnë popullin e Kosovës persona që dyshohet se kanë kidnapuar, torturuar apo vrarë njerëz të pafajshëm?


Gjyqësori i Kosovës nuk e ka zbardhur deri më tani asnjë rast të krimeve të rënda që janë kryer gjatë luftës. Madje edhe në rastet kur gjykatësit vendorë ishin detyruar të uleshin në trupat gjykues bashkë me gjykatësit e EULEX-it, ata ose e mbanin kokën ulur ose distancoheshin nga dënimet kur bëhej fjalë për raste të profilit të lartë, siç dëshmon rasti i gjyqtarit Rrahman Ratkoceri, i cili qe distancuar nga dënimi i shpallur ndaj të ashtuquajturit Grup i Llapit. Jo vetëm ky rast tregon se Tribunali i ri ndërkombëtar duhet të themelohet sa më shpejt. Atë ditë kur Tribunali fillon punën do të fillojë edhe çlirimi i vërtetë i Kosovës nga kriminelët që janë maskuar me kostume e kravata dhe i kanë pushtuar forumet politike.


Krimet kanë ndodhur, andaj duhet të ketë edhe procese gjyqësore. Ka pasur kampe apo qendra ndalimi në shumë pjesë të Shqipërisë Qendrore dhe Veriore.


Këto kampe i kanë mirëmbajtur figura që krekosen si prijës të UÇK-së dhe si çlirimtarë. Viktimat që kanë mbijetuar dhunën në Cahan (për shembull) kanë folur publikisht. Por, për fat të keq, dhjetëra viktima nuk kanë guxuar të flasin ende për shkak të frikës, për shkak të kërcënimeve, për shkak të rrezikut se dikush mund ti vrasë apo ti shtyjë të bëjnë vetëvrasje. Të gjitha këto kanë ndodhur, pra janë vrarë e frikësuar dëshmitarë – dhe në Kosovë ka ende njerëz, sigurisht njerëz tepër të këqij, që bërtasin pa argumente kundër themelimit të Tribunalit. Sipas hetuesve disa nga 40 njerëzit e keqtrajtuar në Kukës u arrestuan nga UÇK-ja në Durrës, nënvizohej para disa vjetësh në një raport të BBC-së. Ky mediumin prestigjioz njoftonte se në konfliktin e viteve 1998-99 hotel Drenica (në Durrës, v.j.) ishte qendër e çdo gjëje ai ishte shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Për çudi kundër Tribunalit të ri deklarohen sidomos ata që ditë e natë e terrorizojnë opinionin duke u përbetuar se respektojnë Amerikën dhe sistemin e saj demokratik e juridik. Tani kemi një prokuror amerikan, Clint Williamsonin, i cili nga zyra e tij në Bruksel po heton dyshimet për krime të kryera nga eksponentë të UÇK-së. Hetimet tani gati me siguri do të çojnë në ngritje aktakuzash kundër personave të nivelit të lartë politik, që pjesëmarrjen në luftën e UÇK-së e kanë (keq)përdorur për ti ushqyer instinktet e tyre të ulëta dhe për ta njollosur idenë e çlirimit të Kosovës. Nëse ndodh ngritja e aktakuzave, atëherë pjesërisht ose në pjesën më të madhe do të konfirmohen pretendimet që kishte ngritur në raportin e tij kompleks i dërguari i Këshillit të Europës, Dick Marty. Atëherë do të jetë me rëndësi të shihet se çdo të thonë ata që me çdo mjet përpiqeshin ta diskreditonin ish-prokurorin zviceran.


Diskreditimi i drejtësisë ndërkombëtare e dëmton zhvillimin e Kosovës drejt një demokracie funksionale. Kosova sbëhet kurrë shtet demokratik dhe shtet ku sundon ligji me kryetarë komunash të akuzuar për vrasje. As me deputetë që prej vitesh akuzohen si urdhërdhënës vrasjesh. Kur bëhet fjalë për krime të rënda, për krime lufte, nuk mund të thuash e dua Amerikën, por prokurori Williamson është antishqiptar. Këto ditë me nënton pseudopatriotik është shpallur antishqiptar edhe Maurizio Salustro, ish-shef i Prokurorisë Speciale të EULEX-it, i cili mbi 90 për qind të aktakuzave për krime lufte i ka ngritur për raste kur viktima kanë qenë civilët shqiptarë, përfshirë edhe gratë. Cila është arsyeja e sulmeve kundër Salustros? Thuhet se paskësh gjetur punë si këshilltar në Prokurorinë Speciale të Serbisë.


Lajmi nuk është konfirmuar ende, por edhe nëse është i saktë, përse të paragjykohet një prokuror këmbëngulës, i cili derisa punoi në Kosovë u përpoq të godasë krimin përkundër vështirësive të mëdha që ndërlidhen kryesisht me ligjin e heshtjes ndër shqiptarë? Nëse Salustro jep kontribut që Serbia të ketë sistem të mirë të drejtësisë, atëherë kjo do ti ndihmojë edhe Kosovës. Më mirë të kesh fqinjë shtete me sistem funksional të drejtësisë se sa shtete ku drejtësia është instrument i pazareve politike. Kosova vetëm mund të përfitojë nëse shtetet përreth, përfshirë edhe Shqipërinë e shkretë, arrijnë të ndërtojnë një sistem të pavarur gjyqësor.


Në një takim të mbajtur më 11 dhjetor 2012 ministrat e jashtëm të BE-së kanë theksuar se bashkëpunimi me Task Forcën Hetimore Speciale të drejtuar nga Clint Williamson është kriter për Kosovën dhe se është e domosdoshme që të adresohet mosndëshkimi dhe të sigurohet llogaridhënia. Në këtë vijë është shprehur edhe shefi i EULEX-it Bernd Borchardt, i cili këto ditë tha se ka pretendime për akuza të ashpra dhe nëse ka fajtorë për këto pretendime, atëherë duhet të gjenden kush i ka bërë këto