Shkatërrohet makina e shtetasit Nikoll Lleshi, dëmtohen dritaret e pallatit. Dy vite më parë i dogjën punishten
Pista kryesore e policisë, konkurrenca për shkak të punës së të dëmtuarit, pronar zdrukthtarie
LAÇ- Një shpërthim tritoli, ndodhur 15 minuta pas mesit të natës së të enjtes ka shkatërruar plotësisht makinën e një shtetasi dhe ka vënë në alarm lagjen numër dy të Laçit. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se objekt i tritolvënësve ka qenë autovetura në pronësi të shtetasit Nikoll Lleshi, e parkuar ngjitur me ballkonin e apartamentit të tij. Për të dytën herë ai është vënë në qendër të sulmeve, pasi dy vite më parë persona të paidentifikuar i vunë zjarrin zdrukthtarisë së tij. Makina është shkatërruar pothuajse plotësisht, kurse pallati ku banon Lleshi ka pësuar të çara dhe xhamat e dritaret kanë pësuar shumë dëmtime. Ndonëse policia nuk ka mundur të identifikojë autorët e ngjarjes, deklaron se pistat kryesore të hetimit janë, konkurrenca në zdrukthëtari, nisur nga puna që bën i dëmtuari dhe bezdia që ka krijuar në zonë qeni që ai mban në tarracën e pallatit.
Shpërthimi
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit mësohet se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 12.15 minuta, duke u gdhirë dita e djeshme. Në rrugë, në kohën e shpërthimit nuk ka pasur lëvizje, pasi banorët e këtij qyteti me të filluar errësira ndërpresin lëvizjet dhe i drejtohen banesave të tyre. Ka qenë pikërisht ky çast nga i cili kanë përfituar autorët, persona ende të paidentifikuar, për të vendosur sasinë e eksplozivit poshtë autoveturës tip benz të Nikoll Lleshit. Shpërthimi, sipas policisë, ka qenë i fuqishëm dhe është dëgjuar jo vetëm brenda qytetit. Kjo ka bërë që policia të mbërrijë në vendin e ngjarjes dhe të nisë hetimet. Grupi i ekspertëve bëri ekspertizën e zonës ku ndodhi ngjarja dhe këqyri nga afër makinën dhe dëmet e tjera të shkaktuara. "Për hedhjen në erë të autoveturës së Nikoll Lleshit është përdorur 400 gram tritol. Ndërsa deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi i autorëve të vendosjes së tritolit",- deklarojnë burimet policore.
Pistat
Dy janë pistat në të cilat janë shtrirë hetimet lidhur me ngjarjen. Sipas policisë, pista e parë lidhet me punën që kryen shtetasi i dëmtuar. Ai ka një punishte zdrukthtarie. Për këtë policia mendon se një shkak për vendosjen e tritolit të jetë konkurrenca e përpunimit të lëndëve drusore. Ndërsa pista e dytë është mbajtja e një qeni në tarracën e pallatit, i cili në jo pak raste ka bezdisur banorët e pallatit, sidomos me të lehurat gjatë natës. Sipas hetuesve, pista e dytë ka pak gjasa, pasi tashmë ky qytet njihet për mbajtjen e kafshëve nëpër pallate dhe në qytet, ku dominojnë kryesisht edhe derrat.
I dëmtuari
Gjatë dëshmisë së tij në polici, Nikoll Lleshi ka pohuar para hetuesve se nuk ka asnjë konflikt me njeri. "Nuk kam asnjë konflikt, jam familjar i rregullt dhe pa probleme",-mësohet të ketë thënë ai në polici. Ndërkohë, para dy vitesh persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin magazinës së zdrukthtarisë ku punonte dhe nga hetimet e kryera nuk u arrit të gjendeshin zjarrvënësit. Ai jeton në një apartament në katin e parë të një pallati në lagjen dy të qytetit të Laçit, dhe banon aty prej 15 vitesh, kohë kur ka ardhur nga Mirdita. Banorët e zonës pohojnë se familja e tij është e rregullt dhe pa probleme.
Precedentët e shpërthimeve në Laç, pa autorë
Tritol banesës së ish- shefit të krimeve, Mujo Çela
Tritol ish- punonjësit të FNSH-së Ndok Pergjetani
Tritol ujësjellësit të Mamurrasit
Tritol efektivit të SHIK-ut, Gjon Biba
Tritol banesës së Gjon Lleshit
Tritol ujësjellësit të Fushë-Kuqes
Tritol ujësjellësit të Gjormit
Tritol shkollës 9-vjeçar të Shullazit
Tritol në makinë, Dedë Pengës, ish- efektiv policie