Kryeministri i Turqisë akuzoi Izraelin se po kërcënon paqen në rajon dhe se po përdorë forcë jo-proporcionale kundër palestinezëve.

Recep Tajib Erdogan kërkoi nga Izraeli që mos të cenojë hapësirën ajrore dhe ujërat territoriale të Libanit.

Ai kërkoi nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që sa i përket armatimit bërthamor, ky organ të ushtrojë trysni të njëjtë ndaj Izraelit, siç po e ushtron edhe ndaj Iranit.

“Nuk mund të qëndrojmë të heshtur në lidhje me sjelljet e Izraelit. Ky shtet ka një fuqi jo-proporcionale dhe po e përdor atë sipas dëshirës, duke refuzuar që t’i bindet rezolutave të OKB-së. Ne nuk mund të pranojmë kurrë këtë. Këta hapa po rrezikojnë paqen globale”, tha Erdogan.

Ai këto deklarata i bëri, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Libanit, Saad Hariri.

Hariri e cilësoi Izraelin si një armik, i cili po kërcënon sigurinë e Libanit. “Sot, Izraeli po vazhdon të cenojë hapësirën ajrore dhe ujërat tona territoriale”, theksoi Hariri.

Sa i përket mundësisë së luftës, për të detyruar Iranin që të heq dorë nga programi i vet bërthamor, Erdogan tha:”Rajoni nuk mund të pranojë një sindromë të re të Irakut. Turqia për një kohë të gjatë ka mbështetur të drejtën e Iranit për të zhvilluar energji bërthamore për shfrytëzim paqësor. Ata që po ja tërheqin vërejtjen Iranit në lidhje me armët bërthamore, nuk po ja tërheqin vërejtjen edhe Izraelit”, tha Erdogan.