Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj vlerësoi si primar në procesin e Integrimit Europian rolin e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Një përqindje të lartë të pyetësorit të Bashkimit Europian e zë garancia e sigurisë së ushqimit dhe produktet bujqësore vendase më cilësi të njëjtë me tregun perëndimor. Për këtë Ministri Tafaj prezantoi tre sfida standardesh para stafit akademik dhe studentëve të këtij universiteti.

Sfida e parë e orientimit të këtij universiteti është krijimi i biznesmenëve të rinj agrar që do të prodhojnë për tregun evropian. Sfida e dytë është gara e shërbimeve laboratorike që të garantohen produktet për eksport ndaj konsumatorit, si dhe kërkimi shkencor që mbetet i kufizuar në financim prej programeve ndërkombtare.

Ai kërkoi që së shpejti të dalin nga kjo shkollë ekspertë të bioteknologjisë dhe informatikës bujqësore.

Rektori Fatos Harizaj argumentoi se që prej vitit 2005, me nënshkrimin dhe aplikimin e kartës së Bolonjës ky universitet i ka ofruar tregut bujqësor të punës pothuajse numrin më të lartë të të diplomuarve.

Ministri i Arsimit Tafaj e quajti shkollën e lartë bujqësore dhe atë ekonomike si dy universitetet që kanë më shumë kredite në përafrimin e diplomave me standardet universiteteve evropiane që pritet të mbyllet si proces ekuivalentimi në vitin 2012.