I ashtuquajturi ministër serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, vizitoi dje Kosovën vetëm pasi kishte pranuar që t‘i plotësojë dy kushte të vëna nga UNMIK-u. Kreu i UNMIK-ut vendosi që të mos ta lejojë ministrin Samarxhiç ta vizitojë Kosovën, por vendimi ishte ndryshuar pas një bisede telefonike që zhvilluan dy zyrtarët. Ryker që u takua dje me Samarxhiç, tha se vizita u realizua pasi ministri serb pranoi që të plotësojë dy kushtet e parashtruara. Kushti i parë kishte të bënte me distancimin e qartë të Samarxhiçit nga deklaratat e tij të mëhershme, kurse i dyti ishte takimi i obligueshëm me kreun e UNMIK-ut, i cili ia ka bërë me dije Beogradit se nuk guxon ta sfidojë mandatin e OKB-së, në Kosovë. Shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, tha dje se ia ka bërë me dije qeverisë së Serbisë se nuk guxon në asnjë mënyrë që të sfidojë mandatin ekzekutiv të UNMIK-ut, që është i garantuar edhe me Rezolutën 1244. Ryker ia ka përcjellë këtë mesazh Beogradit, përmes të ashtuquajturit ministër serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, i cili erdhi në Kosovë pasi premtoi se do t‘i plotësojë dy kushtet e vëna nga UNMIK-u. Shefi i UNMIK-ut vendosi më parë që t‘ia pamundësojë hyrjen në Kosovë ministrit serb, por vendimi ishte ndryshuar pas një bisede telefonike që kishin zhvilluar dy zyrtarët e lartë.

"Unë i kam treguar se mbi bazën e cilave kushte ai mund të vijë në Kosovë. Kushti i parë ishte që ai të distancohet nga deklaratat e tij të mëhershme, të cilat nxisin dhunë. Kushti i dytë ka qenë që të takohet me mua këtu në Prishtinë, në mënyrë që t‘i them se çfarë ne mendojmë për disa deklarata që ai i ka bërë", tha shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker. Kreu i UNMIK-ut tha se ia ka bërë me dije ministrit serb se mandati ekzekutiv i UNMIK-ut duhet të respektohet në tërësi. "Më lejoni t‘iu siguroj se mbi bazën e vazhdimit të vlefshmërisë së Rezolutës 1244, UNMIK-u dhe KFOR-i janë përgjegjës për tërë territorin e Kosovës. Këtë ia kam bërë shumë të qartë ministrit serb", ka theksuar Ryker. Megjithatë ai e pranoi se nuk ishte shumë i kënaqur me përgjigjen e marrë nga ministri Samarxhiç, në lidhje me atë nëse Beogradi do ta sfidojë mandatin ekzekutiv të UNMIK-ut. "Më duhet të them se nuk kam qenë i kënaqur me përgjigjet e ministrit Samarxhiç, të cilat nuk ishin shumë të qarta për mua. Takimi ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje, por unë isha në gjendje që t‘i thosha se si ne i mendojmë gjërat", ka thënë Ryker. Sipas të dërguarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, vendimi për lejimin e vizitës së ministrit serb është marrë në konsultim edhe me liderët vendorë të Kosovës. Por, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuqi, deklaroi se vizita e ministrit Samarxhiç paraqet "provokim" nga ana e Serbisë. Ndryshe, përveç takimit me kryeadministratorin Ryker, ministri Samarxhiç, vizitoi edhe disa vendbanime të banuara nga serbët. Qëllimi i kësaj vizite thuhet të jetë inkurajimi i serbëve për të qëndruar në vendbanimet e tyre, pavarësisht faktit se Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj, që tashmë është njohur nga shtetet kryesore perëndimore.