Separatistët konsolidojnë pozicionet në qytetet e Lindjes dhe Kievi duket i pafuqishëm për ti ndalur


Sepratistet proruseNjerëz të maskuar dhe të veshur me uniforma ushtarake morën kontrollin e zyrave të qeverisë në një qytet tjetër ukrainas dje, një shenjë e re kjo, se autoritetet pro-perëndimore në Kiev po humbasin kontrollin e zonave industriale të Lindjes në kufi me Rusinë.


Njerëz të armatosur u shfaqën në agim dhe morën kontrollin e zyrave në Horlivka, një qytet me 300 mijë njerëz, tha një fotograf i Reuters që ishte në vendngjarje. Ata refuzuan të fotografohen.


Ata qenë të armatosur rëndë dhe kishin të njëjtat uniforma ushtarake pa shenja dalluese si forcat ushtarake të tjera, që janë shfaqur nëpër Ukrainë për të marrë kontrollin e Rajonit Donbas, i cili është zemra e industrisë së qymyrit dhe çelikut të këtij vendi.


Përpjekjet për të kontrolluar kryengritjen nga ana e qeverisë në Kiev deri tani kanë rezultuar gjerësisht të pasuksesshme dhe forcat e sigurisë janë shmangur në mënyrë të përsëritur nga separatistët.


Perëndimi dhe qeveria e re e Ukrainës akuzojnë Rusinë se po i organizon rebelët, një akuzë që Moska e mohon. Ambasadori i SHBA-së në OSBE, Daniel Baer, tha para gazetarëve në Vjenë: Mendoj se është shumë e qartë se ajo që po ndodh nuk do të ndodhte pa mbështetjen e Rusisë.


Një zyrtar i policisë në Donetsk, kryeqyteti i provincës ku separatistët kanë shpallur Republikën Popullore të Donetskut, tha se separatistët kishin kontrollin edhe të postës policore në Horlivka.


Sulmi i djeshëm pasoi rënien e ndërtesave qeveritare në Luhanks të martën, kryeqendra e provincës më lindore të Ukrainës, gjë që ka bërë që tashmë shumica e rajoneve më të populluara të Ukrainës të mos jenë më nën kontrollin e Kievit.


Referendum për ndarje


Qyteza e Horlivkës gjendet në veri të Donetskut, ku separatistët pro-rusë kanë shpallur plane për zhvillimin e një referendumi për ndarje më 11 maj. Shumë prej tyre shpresojnë të ndjekin modelin e Krimesë, e cila u nda formalisht nga Ukraina para se të aneksohej nga Rusia në shkurt të këtij viti.


Rajoni i Donbasit është shtëpia e kombinateve gjigante të çelikut dhe fabrikave të tjera të industrisë së rëndë. Rebelimi atje filloi në prill dhe Kievi duket pothuajse i pafuqishëm për ta ndalur, ndërsa ka frikë se nëse reagon me dhunë, do të provokojë një sulm nga ushtria e Rusisë, e cila ka përqendruar dhjetëra mijë trupa pranë kufirit.


Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandër Turkinov, i cili do të qëndrojë në këtë post deri në zgjedhjet presidenciale të 25 majit, deklaroi dje se policia dukej e paaftë për të rivendosur kontrollin në rajon.


Detyra jonë kryesore është të parandalojmë kërcënimin terrorist të përhapet në rajone të tjera të Ukrainës, tha ai në Kiev. Udhëheqësia ruse po bën gjithçka për të parandaluar zgjedhjet. Por zgjedhjet do të zhvillohen më 25 maj, shtoi ai.


Ky shkrim Ukraina humbet kontrollin e Lindjes u publikua me pare te Gazeta SHQIP.