Qytetarët që kanë marrë kredi në euro, duket se do të përfitojnë nga vendimi i fundit i Bankës Qendrore Europiane për të ulur normën e interesit të euros nga 1.5 për qind, në 1.25 për qind. Ky vendim, që erdhi si efekt i situatës së krijuar në eurozonë, do të japë efektin e saj edhe te qytetarët shqiptarë, që kreditë e tyre i kanë marrë në euro. Vendimi i Bankës Qendrore Europiane është reflektuar menjëherë në normën e Euribor-it, i cili është ulur, edhe pse në një nivel modest, nga 2.1 për qind në 2 për qind, por ajo që është më e rëndësishme, është tendenca që ka pasur norma e Euribor-it përgjatë kësaj kohe. Përgjatë gjithë kësaj jave norma ka pësuar ulje, duke filluar me 31 tetorin, që u mbyll me 2.21 për qind, me datën 1 nëntor, që vijoi 2.11 për qind, ndërkohë që ulja më madhe është reflektuar dje. Por pse përfitojnë individët që kanë marrë kredi në euro? Bankat në përgjithësi e përcaktojnë këstin e kredisë në euro, duke pasur parasysh normën e vendosur nga banka, plus Euribor-in. Nëse indeksi i këtij të fundit ulet, atëherë ky përfitim është i drejtpërdrejtë për qytetarët, pra kreditë e tyre do të jenë më të leverdishme. Por ndërsa ky ndryshim në Euribor favorizon principalin që është marrë si kredi nga qytetarët, vendimi i Bankës Qendrore Europiane favorizon edhe vetë qeverinë që mund të ketë marrë borxh në euro. Ulja e normës së interesit të euros e zhvlerëson atë, duke mundësuar që qeveria ta blejë më lirë atë për rastet kur ka detyrimin e shlyerjes së borxheve. Në rastin e qeverisë, kjo e fundit nuk përfiton nga ulja e principalit të borxhit, por nga ulja e përqindjes së interesit. Edhe pse vendimet e Bankës Qendrore Europiane kanë efekt jo shumë të ndjeshëm për Shqipërinë, sërish një farë efekti e kanë. Vendimi i BQE erdhi pas diskutimeve të zgjatura, por kjo ulje ishte paralajmëruar më herët. Kriza që po kalon eurozona dhe sidomos Greqia, kanë vënë në lëvizje këtë bankë për të qenë shumë e kujdesshme me politikën monetare, ndërkohë që interesi u ndryshua edhe një herë pak muaj më parë.


2 per qind

arriti interesi i Euribor-it dje, pas vendimit të Bankës Qendrore Europiane, dy ditë më parë. Kjo ulje pritet që të favorizojë edhe kreditë që qytetarët kanë marrë në euro


1.25 per qind

është norma e interesit të euros, pas vendimit të BQE për ta ulur atë me 0.25 pikë përqindje, nga 1.5 për qind që ishte kjo normë deri të enjten