Në Maqedoni vazhdojnë protestat e rinisë shqiptare. Njësoj siç vazhdojnë orvatjet e partive të këtushme shqiptare që, o ti vënë nën kontroll protestat, o ti shpallin tradhtarë të gjithë ata që i përkrahin ato. Dhe përderisa të rinjtë protestojnë, thuajse përnjëherë të gjithë e kuptuan se kanë kaluar 13 vite nga konflikti i 2001 dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila u desh të realizohej deri në vitin 2004. Pra thuajse të gjithë e ndërmendën se po kaq vite, kryesuesit e BDI-së e shënonin solemnisht ditën e nënshkrimit të saj, kështu që edhe këtë Marrëveshje, njësoj si edhe emblemën e UÇK-së dhe konfliktin e 2001, e privatizuan dhe e shpallën pronë të patjetërsueshme të partisë së tyre.


Po pra, sot kur proteston rinia shqiptare e Maqedonisë, më në fund të gjithë e kuptuan se Marrëveshja e Ohrit është vetëm një kufomë, por vdekjen e së cilës ka vite që e fsheh BDI-ja dhe, në vend që atë ta varrosë, ajo paturpshëm, edhe pas vitit 2004, i kremtonte ditëlindjet e saj. Dhe BDI-ja nuk e shpalli vdekjen e saj vetëm për një arsye: ngaqë kryesuesit e saj nuk do kishin për çka tjetër të flisnin me diplomatët e huaj dhe pse do të duhej të mbyllej Sekretariati për realizimin e kësaj Marrëveshjeje pranë Qeverisë së Maqedonisë, me çka do të mbetej pa punë sekretari i përjetshëm i tij dhe njëkohësisht një nga figurat e ndritura të BDI-së!


Dhe sot kur rinia shqiptare e Maqedonisë proteston, shumëkujt thuajse për herë të parë iu kujtua se kishin kaluar 13 vite nga konflikti i 2001, i cili mbiu në arën politike të lëvruar njëmbëdhjetë vitet e mëparshme, edhe atë nga politikanët që ndërtonin Maqedoni ku sllavët do dëfreheshin, e shqiptarët do ta mirëmbanin. Pra konfliktin e 2001 e solli revolta e grumbulluar ndër vite te shqiptarët, tek ata që jepnin shumë e nuk merrnin thuajse asgjë.


Dhe sot, në verën e vitit 2014, kur rinia shqiptare e Maqedonisë proteston, shumëkush mundohet ta zbërthejë këtë revoltë, duke mos vërejtur se këto protesta, njësoj si edhe konflikti i 2001, janë fryt i keqqeverisjes, i ndjenjës se je i papërfaqësuar dhe i bindjes se shtetit ia jep të gjitha që duhen dhënë, e ai nuk të ofron thuajse asgjë më shumë se sa getoizimin dhe rrugën e mërgimit. Pra kjo rini që proteston sot, u rrit thuajse me po të njëjtën ndjenjë që kishin rioshët e para konfliktit të 2001: se ata jetojnë në një shtet ku qeveritarët veprojnë sipas parimit se më lirë të del ti paguash shtrenjtë qindra shqiptarë, se sa tërë një populli tia japësh hisen që i takon. Dhe duke u rritur me ndjenjën se asaj të gjitha ia kishin marrë, ajo rini u ngut ta mbronte të vetmen hapësirë që i kishte mbetur e papushtuar nga partitë shqiptare rrugën!


Pra sot kur rinia proteston, sot kur partitë shqiptare i kompletojnë listat e armiqve që i përkrahin dhe nxisin këto protesta , ne prindërit e këtyre protestuesve, përnjëherë e kuptuam se fëmijët tanë ishin rritur njësoj si edhe ne: në fushëbetejën ku përballeshin shqiptarët mbrojtës të shtetit me bashkëkombësit e vet rrënues të shtetit! Andaj edhe na u rikujtuan kohët e socializmit, kur ish- Jugosllavia mbrohej nga rreziku i brendshëm shqiptar duke i ndarë shqiptarët në të ndershëm e të pandershëm, ku në të ndershmit bënin pjesë ata që e ndihmonin regjimin ti luftojë e ti burgosë të pandershmit nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë që rrënonin federatën dhe bashkim vëllazërimin. Pra rikujtuam se si pas rënies së sistemit socialist, deri në vitin 2001, Maqedonia kinse demokratike dhe e pavarur e që kishte trashëguar kodin gjenetik të nënës që e lindi ish-Jugosllavisë, vazhdoi të mbrohet nga rreziku i brendshëm i trilluar shqiptar, duke i ndarë tani ata në radikalë e konstruktivë, në ata që e ndihmonin pushtetin të mbrohej e ti burgoste rrënuesit e shtetit dhe të bashkëjetesës. Rikujtuam pra se si pas konflikti të 2001, duke e parë se asnjë shtesë apo prapashtesë e emërtimit shqiptar nuk mund ta arsyetonte nevojën për mbrojtje nga rreziku i brendshëm shqiptar e ti burgosje gjithë ata që e dëmtonin tenderokracinë mes elitave politike shqiptaro-maqedonase, regjimit të këtushëm i erdhi si e porositur lufta globale kundër terroristëve islamikë dhe, të ndihmuar nga leninistët e BDI-së, u kujtuan se shqiptarëve të këtushëm në pjesë të madhe besimtarë të devotshëm do tu shkonte mirë veshja e epitetit Islamikë radikalë, e me çka do njolloseshin të gjithë shqiptarët e rrezikshëm dhe me një epitet të tillë do të ishin të papranueshëm edhe për vetë shoqërinë shumëfetare shqiptare. Më çka filloi lufta kundër islamikëve radikalë gjatë së cilës nuk u gjet asnjë i tillë mes turqve, boshnjakëve, romëve që ishin myslimanë po aq sa edhe çdo shqiptar i këtushëm.


Shkurt thënë, në këtë Maqedoni shumëçka ndryshoi, por jo edhe strategjia e mbrojtjes së shtetit nga rreziku i brendshëm shqiptar. Dhe atë strategji e përdor edhe regjimi i sotëm i dyshes VMRO-BDI, duke na ndarë në patriotë e tradhtarë, në ndërtues e rrënues të shtetit. Gjë që të bën të ndihesh i mjerë. E si mos ndihesh i mjerë kur e sheh se fatin e popullit tënd, se fatin e kësaj rinie që proteston, e përcaktojnë edhe disa nga ata që janë të gatshëm të shkelin edhe mbi kufomat e shqiptarëve, vetëm që ti ruajnë privilegjet e veta e të mos e tradhtojnë besën që ia kanë dhënë VMRO-së!? Si të mos ndihesh i mjerë kur e sheh se rolet kryesore në filmin antishqiptar me titull Shqiptarët kundër shqiptarëve, i luajnë edhe disa çlirimtarë tanë që do duhej ta pengonin përçarjen mes shqiptarëve?! Dhe si të mos e thuash hapur se shqiptarët e Maqedonisë do ti humbin të gjitha betejat, nëse dëshmohet si i vërtetë pretendimi i drejtuesve të BDI-së se përpos tyre dhe bashkëmendimtarëve të vet, të gjithë ne të tjerët jemi një grumbull UDB-ashësh e tradhtarësh të pafytyrë, që ushqehen nga e keqja e popullit të vet?! Dhe vallë është e mundur që e gjithë vetëdija jonë kombëtare aq të jetë rrudhur, sa sot e tëra të ndodhet në xhepin e regjimit të dyshes VMRO-BDI!


Marrë nga: Shqip