Punonjësit e policisë kanë arritur të kenë një tjetër shpresë për rritje në gradë dhe në pagë nëpërmjet një udhëzimi të ministrit të Brendshëm, që do të zbatohet brenda një kohe të shkurtër. Ky udhëzim ka të bëjë me njohjen e trajnimeve të kryera jashtë shtetit nga punonjësit e Policisë së Shtetit, që nga ato me karakter të përgjithshëm, deri tek ato profesionale. Burimet nga Ministria e Brendshme bënë të ditur se, pak ditë më parë, ky udhëzim është përgatitur dhe pritet të hyjë në fuqi, duke bërë të mundur njohjen dhe njehsimin e trajnimeve të kryera jashtë shtetit nga punonjësit e policisë.



Udhëzimi



Specialistët e Ministrisë së Brendshme dhe ata të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bëjnë me dije se me anë të këtij udhëzimi realizohet njohja dhe ekuivalentimi i diplomave, certifikatave dhe dëshmive, të fituara nga programet e trajnimit jashtë shtetit nga punonjësit e policisë. Sipas të dhënave, kjo bëhet në dy mënyra, të drejtpërdrejtë dhe të ekuivalentuar. Me mënyrën e parë realizohen të gjitha rastet kur njohja dhe ekuivalentimi i trajnimit, programit, diplomës, certifikatës apo dëshmisë janë vendosur me emërtim të drejtpërdrejtë në marrëveshjet dypalëshe të ministrit të Brendshëm apo drejtorit të Përgjithshëm të Policisë me shtetin apo institucionin që ofron trajnimin. Ndërsa me mënyrën e dytë realizohen të gjitha rastet kur njohja dhe ekuivalentimi nuk është përfshirë që në emërtim në marrëveshjet dypalëshe, por trajnimet, programet, diplomat, certifikatat apo dëshmitë e dhëna jashtë shtetit në përfitim të punonjësve të policisë, vlerësohen dhe njihen si të njëjta me sistemin e trajnimit tonë policor dhe nuk kanë nevojë për plotësim programesh apo modulesh. Në udhëzim thuhet qartë se ka edhe një mënyrë të tretë, ajo me plotësim diferencash, që ka të bëjë me verifikimin dhe krahasimin e programeve të ndjekura jashtë shtetit me ato të policisë shqiptare. Në këto raste, ekuivalentimi arrihet nëpërmjet plotësimit të diferencave, të cilat realizohen në përputhje me programet e trajnimit të policisë shqiptare.



Vlerësimi



Vlerësimet për njohjen dhe ekuivalentimin e këtyre trajnimeve, ministri i Brendshëm, ka udhëzuar që të bëhen nga Komisioni i Posaçëm për Ekuivalentimin e Trajnimeve të Kryera Jashtë Shtetit nga Punonjësit e Policisë (KPE), i cili ngrihet dhe funksionon pranë Departamentit për Trajnimin Policor. Sipas të dhënave mësohet se ky komision i posaçëm përbëhet nga disa persona. Burimet e Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur se kryetar i KPE-së është zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Departamentin për Trajnim Policor. Ndërsa anëtarë janë drejtorët e drejtorive përkatëse në këtë departament, një ekspert i kurrikulave, i cili është edhe sekretar teknik, një ekspert i planifikimit të trajnimeve dhe një përfaqësues i departamentit, i cili ka përfituar trajnimin.



Zbatimi



Ndërkaq, KPE mblidhet me urdhër të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të policisë në Departamentin për Trajnimin Policor, jo më larg se 25 ditë pune, nga dita që janë regjistruar dokumentet e parashikuara në pikat 5 dhe 6 të këtij udhëzimi. Mbledhja e KPE-së bëhet vetëm nëse janë të pranishëm kryetari dhe jo më pak se tre prej anëtarëve të KPE-së. Ndërsa vendimi i KPE-së konsiderohet i vlefshëm vetëm nëse është nënshkruar nga kryetari i KPE-së, mbi bazën e aprovimit nga të paktën tre prej anëtarëve. Ndërsa përgjigjja e të interesuarit do të vijë rreth një muaj më vonë nga dita që është regjistruar, pasi KPE-ja ka për detyrë t‘i kthejë përgjigje të interesuarit jo më vonë se 5 ditë-pune pas marrjes së vendimit përkatës. Kështu, pas marrjes së vendimit, një kopje i transmetohet Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, i cili nëpërmjet drejtorisë së personelit bën regjistrimin në dosjet personale të punonjësve të policisë. Kur kjo regjistrohet në dosjen personale të punonjësit të policisë, sipas ligjeve aktuale, duhet të merret parasysh dhe ndikon drejtpërdrejt në gradën dhe paralelisht edhe në pagën e tij, duke i mundësuar një funksion pune, sipas trajnimeve të njohura nga policia. Në rastet kur vendimet nuk mirëpriten nga ana e uniformave blu, ka vetëm një mënyrë rishqyrtimi. Burimet policore tregojnë se KPE-ja mund të ndërmarrë një procedurë rishqyrtimi për një vendim të dhënë vetëm në rast se ekziston një urdhër i drejtorit të përgjithshëm të policisë për të rishqyrtuar një vendim, i cili është marrë jo më parë se 25 ditë-pune. Në këtë rast, vendimi i KPE-së është përfundimtar.





Kur do të përfitoni



njohjen e trajnimit:





Kur në Departamentin e Trajnimeve Policore është regjistruar



Marrëveshja dypalëshe e ministrit të Brendshëm apo drejtorit të përgjithshëm të policisë me shtetin, apo institucionin që ofron trajnimin



Kërkesa e një prej departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë



Kërkesa individuale e një punonjësi policie



Shqyrtimi për qëllim ekuivalentimi bëhet duke iu referuar dokumenteve të mëposhtme:



Marrëveshja ose kërkesa, me anë të së cilës kërkon ekuivalentimin



Curriculum Vitae (kur ka një kërkesë individuale)



Kopja e programit, kurrikulës dhe certifikatës (dëshmisë ose diplomës) në gjuhën shqipe dhe atë angleze



Programi dhe kurrikula të përfshijnë minimalisht:



Objektivat mësimorë



Numrin total të orëve mësimore



Përshkrimin e aktivitetit të institucionit trajnues dhe të burimeve të financimit