Akademia e Shkencave dhe Arteve e Shqipërisë organizon një aktivitet për nder të ditëlindjes së 75 të shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare.


Nga Express më 28 janar 2011 në ora 19:46

Ismail Kadare të premten (sot) i mbushë 75 vjet.

Me rastin e këtij përvjetori, të hënën, me fillim nga ora 11, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në sallën Aleks Buda, në Tiranë, organizon një konferencë jubilare.



Studiues dhe njohës të veprës së akademikut Kadare është paraparë të mbajnë referate për krijimtarinë e tij letrare, ndërkohë që të ftuar do të jenë edhe personalitete të larta shtetërore.



Ismail Kadare është shkrimtari më i njohur shkrimtar në arenën ndërkombëtare. Ai është përkthyer në shumë gjuhë botërore dhe është vlerësuar lartë nga kritika botërore.



Ismail Kadare u lind më 28 janar 1936, në Gjirokastër. Aty përfundoi arsimin e mesëm, ndërsa në vitin 1958, në Universitetin e Tiranës, edhe degën e Gjuhës dhe të Letërsisë. Pas kësaj, gjatë periudhës 1958-1960, shkoi në Moskë ku për dy vjet studio në Institutin e Letërsisë Botërore Maksim Gorki. Krijimtarinë letrare e filloi si poet, qysh në vitet e gjimnazit, me veprat "Frymëzime Djaloshare" (1954), "Ëndërrimet" (1957), megjithëse i njohur u bë me vëllimin “Shekulli im” (1961), i cikli pastaj u pasua edhe me vëllime tjera poetike.



Sot ndërkaq Kadare njihet për prozën e tij. Vepra e parë e rëndësishme e tij është “Qyteti pa Reklama”. Megjithëse romanet e tij të tjera si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964), “Kështjella” (1975), “Kronikë në gur” (1970) etj., mbesin suksese të pakontestueshme.



Që prej vitit 1990 shkrimtari jeton ndërmjet Parisit dhe Tiranës.

Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2005 fitoi çmimin The Booker Prize Man; është dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë me urdhrin Nderi i Kombit; ndërsa nga shteti francez me urdhrat Kryqi i Legjionit të Nderit dhe si Oficer i Legjionit të Nderit.



Në vitin 2009 u nderua me çmimin e madh spanjoll Princi i Asturias për Letërsi, njëri nga çmimet më prestigjioze në botën letrare.



Në konferencën jubilare që mbahet në Tiranë do shqyrtohen aspekte të ndryshme letrare, por edhe raportet e shumëdiskutuara të shkrimtarit me kohën kur jetoi.