(E plotësuar) Emisari i BE’së në dialogun Kosovë-Serbi po qëndron në Prishtinë ku në orët e paradites ka zhvilluar takime me Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Zëvendëskryeministren Edita Tahiri.

Pas takimit nuk ka pasur prononcime, derisa mediat nuk janë lejuar që të marrin as pamje.

Sipas burimeve të Express, Cooper gjatë ditës pritet të ketë edhe një takim me palën kosovare.

Vizita e Cooper ka të bëjë me temën e përfaqësimit rajonal për çka Prishtina dhe Beogradi kanë qëndrime diametralisht të kundërta.

Tahiri në një prononcim për Express të hënën kishte bërë të ditur se britaniku do të sjellë formulën e BE’së për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Por ajo ka thënë se Prishtina nuk e pranon Rezolutën 1244 e as heqjen e fjalës Republikë.

Çelet sot

Edita Tahiri thotë se Ndërmjetësi Robert Cooper do ta sjellë sot në Prishtinë propozimin europian për zgjidhjen e çështjes së përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale. Sipas saj, askush nuk e di se çfarë oferte do të bëjë britaniku. Zëvendëskryeministrja thotë se e sigurt është se Prishtina s’e pranon praninë e Rezolutës 1244 në fusnotën e saj, e as heqjen e Republikës.

Kanë kaluar pak javë që nga vizita e tij e fundit në Prishtinë, por çështja e përfaqësimit rajonal të Kosovës po e sjell sërish këtu.

Lehtësuesi europian në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper do të vijë sot në Kosovë, ku pritet të takohet me Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Kryenegociatoren Edita Tahiri.

Kjo e fundit ka konfirmuar për Express se Cooper pritet të sjellë me vete propozimin zyrtar të BE’së për fusnotën e Kosovës, mirëpo ka mohuar të dijë se si do të jetë ky propozim.

Tahiri ka thënë se gjithçka do të bëhet publike pas takimit me Cooperin, në një konferencë për media.

“Nesër, pas takimit me zotin Cooper, do të prononcohem për media dhe unë mund t’ju them se qëndrimet janë diametralisht larg njëra-tjetrës meqë qëndrimi ynë është që për Qeverinë e Kosovës zgjidhja e pranueshme është vetëm zgjidhja e cila është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe interesat nacionale të vendit tonë”, ka thënë Zëvendëskryeministrja Tahiri për gazetën Express.

Ditë më parë, në media kishte dalë lajmi se Ekipi i ndërmjetësuesit Robert Cooper e ka ndarë mendjen për fusnotën e Kosovës. Për më tepër thuhej që sipas versionit final të BE’së, Kosova do të mund të përfaqësohej vetëm me emër të shtetit si dhe një fusnotë ku do të përmendej Rezoluta 1244 si dhe Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Mirëpo, kjo u mohua nga Kryenegociatorja Tahiri.

“Nuk kemi asnjë ofertë zyrtare nga BE’ja. Po e presim nesër ofertën zyrtare. Ajo që është përfolur në media është ofertë e Serbisë që për ne është e papranueshme, nuk e pranojmë”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka ripërsëritur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se opsionet me atë rezolutë kanë vijë të kuqe për palën kosovare.

“Nuk kemi paralajmërime se me çfarë propozimi zyrtar do të vijë nesër Cooper, ne pas takimit do të komunikojmë se çfarë ka qenë oferta dhe do ta rikonfirmojmë qëndrimin tonë se vetëm zgjidhjet që janë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nacionale do të jenë të pranueshme”, shtoi ajo.

Vizita e ndërmjetësuesit europian në Prishtinë, ndërkaq, po ndodh vetëm dy javë para se ministrat e jashtëm të BE’së të mblidhen për të diskutuar rreth kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në familjen europiane.

Zëdhënësja e shefes së diplomacisë europiane, Baroneshës Catherine Ashton, ka bërë të ditur për mediet serbe se Cooper do të qëndrojë në Prishtinë për ta përgatitur raundin e ri të bisedimeve.

“Po, ai do të qëndrojë atje për të përgatitur raundin e ardhshëm të dialogut”, ka thënë Zëdhënësja Maja Kocijancic.

Por, ende nuk ka ndonjë datë për fillimin e këtij raundi, ngase thuhet se gjithçka varet prej arritjes së ndonjë marrëveshjeje rreth përfaqësimit rajonal të Kosovës.

Cooper ishte angazhuar javëve të fundit për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

Përderisa Beogradi zyrtar vazhdon të insistojë që Kosova të përfaqësohet nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, autoritetet kosovare kanë këmbëngulur, deri më tani, në përfaqësimin si shtet i pavarur.

Shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri nuk ka përjashtuar mundësinë për të arritur një marrëveshje para se të mblidhen ministrat e BE’së në Bruksel. Mirëpo për të arritur këtë, thotë se Serbia duhet të heqë dorë nga formulat si ato me Rezolutën 1244, të cilat i quajti formula të cilat i takojnë historisë.

“Marrëveshje do të ketë vetëm në qoftë se Serbia heq dorë nga formulat që i takojnë historisë dhe formulës 1244 që është histori tashmë. Në qoftë se Serbia heq dorë nga formula të tilla dhe respekton praktikisht shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, do të ketë zgjidhje para takimit të ministrave”, ka thënë Edita Tahiri.

Çështje e diskutueshme, ndërkaq, ka qenë edhe përfaqësimi apo jo i Kosovës si Republikë. Shefi i Qeverisë, Hashim Thaçi kishte hedhur poshtë të gjitha propozimet e Brukselit duke thënë se nuk do të hiqet dorë nga akronimi Republikë.

“Mund t’ju them lirisht se edhe krejt spektri politik po të pranonte heqjen e Republikës, unë nuk do ta pranoj”, ka thënë Thaçi.

E, Tahiri ka rikonfirmuar këtë qëndrim duke thënë se Kosova nuk do të pranojë tjetër akronim.

“Propozimi i palës së Kosovës është që Kosova do të përfaqësohet në bashkëpunimet rajonale si shtet i pavarur dhe sovran me Republika e Kosovës, ashtu siç bëjnë gjitha shtetet e rajonit. Ky është propozimi ynë, praktikisht dhe nesër gjatë takimit me Cooperin ne do ta rikonfirmojmë qëndrimin tonë”, ka thënë Edita Tahiri për Express.

Pavarësisht kësaj, Robert Cooper pati thënë se ende është e mundur që të gjendet një marrëveshje ndërmjet palëve rreth kësaj, veçse duhet të bisedohet ende me Prishtinën.

“Unë besoj se gjithmonë mund të gjejmë një marrëveshje përmes arsyes së shëndoshë”, ka thënë Cooper në një prononcim për Express, javën e kaluar.

Ndryshe, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar në prill të vitit të kaluar. Deri më tani, Brukseli ka arritur t’i bashkojë të dyja palët në nj tavolinë për të nënshkruar disa marrëveshje, si atë për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, për njohjen e diplomave, kthimin e regjistrave kadastralë etj.

Ndërkohë që Serbia vazhdon të hezitojë për zbatimin e tyre në praktikë. Për këtë arsye, Edita Tahiri kishte paralajmëruar se do t’iu drejtohet vendeve të BE’së me një letër informuese për t’i treguar Unionit se pala serbe nuk po i përmbush obligimet ndërkombëtare.

Serbia, ndër të tjera, mbetet ajo e cila insiston në gjetjen e një marrëveshjeje për përfaqësimin rajonal të Kosovës, para muajit mars, ngase në këtë kohë pritet të vendoset për statutin e saj të kandidatit për në BE.

Kandidatura e saj qe refuzuar në mbledhjen e fundit të ministrave të BE’së në dhjetor të vitit të kaluar. Kjo me kundërshtimin e Gjermanisë, e cila në bazë të vlerësimeve të ndryshme ndërkombëtare, po vazhdon me qëndrimin e saj ndaj Serbisë.