Nga Express më 24 prill 2011 në ora 22:07

Në Japoni, vdiq në moshën 81-vjeçare ish ekzekutivi i firmës japoneze Sony, të cilit i njihet merita si krijuesi i kompakt diskut.



Kompania Sony njoftoi se ish presidenti i saj, Norio Ohga vdiq të shtunën në Tokio. Në vitet ’50, zoti Oga ishte ankuar për cilësinë e zërit të magnetofonave prandaj firma Sony e bindi atë të hiqte dorë nga karriera si këngëtar lirik dhe të punonte për këtë kompani.



Ohga u ngrit shpejt në hierarkinë e Sonyt, duke u bërë një ndër ekzekutivët e saj. Ai ndihmoi më pas në shpikjen e kompakt diskut, me premtimin se CD-ja një ditë do të zëvendësonte shiritin magnetik dhe do të bëhej platforma kryesore për shitjen e muzikës.



Me këmbënguljen e tij, CD-ja u projektua me një diametër prej 12 centimetrash, e aftë të mbante rreth 74 minuta muzikë, të mjaftueshme për sinfoninë e Nëntë të Bethovenit.



CD-ja u hodh në treg në vitin 1982.