Gjykata e Tiranës pushoi padinë e ngritur nga Erjon Isufi, ish-administrator i shoqërive të Damir Fazlliç kundër prokurorisë. Vendimi është marrë dje nga gjyqtari Sokol Tona, gjatë seancës së radhës, i cili vendosi të rrëzojë kërkesë-padinë e Isufit si të pambështetur në prova. Materialet e paraqitura nga organi i prokurorisë vërtetuan se nga ana e saj nuk është bërë sekuestrimi i pronave të Erjon Isufit, pasi ishin bllokuar vetëm për të bërë verifikimin e tyre. Në seancën e djeshme gjyqësore, vetë Isufi nuk ishte i pranishëm. Ndërsa prokurori Dritan Rreshka paraqiti të gjitha provat që vërtetonin se pronat e Erjon Isufit nuk ishin sekuestruar, por bllokuar, për të bërë verifikimin e tyre. Një seancë më parë, avokati Ardian Leka dhe prokurori kanë shkëmbyer disa replika mes tyre për të arritur në pikën përfundimtare. Kështu një seancë më parë, avokati i Isufit, Ardian Leka, i kërkoi gjykatësit Sokol Tona pavlefshmërinë e shkresës së dërguar nga prokuroria për bllokimin e pasurive të paluajtshme dhe transaksioneve bankare. Sipas tij, shkresa e dërguar nga prokuroria ka sjellë dhe pasoja juridike mbi Isufin, të cilit i janë bllokuar pronat. Ndërsa prokurori Dritan Reshka, i cili po merret edhe me hetimet e biznesmenit boshnjako-britanik, Damir Fazlliç, shpjegoi se shkresa nuk kërkon bllokimin e pasurive, por verifikimin e tyre për Isufin. Bllokimi, sipas tij, kërkohet për pronat e paluajtshme të Fazlliçit, ku veprimi i hipotekës mbetet në kompetencat e saj dhe jo në atë të prokurorisë. Kështu, vetëm pas dorëzimit të dokumenteve u pa se prokuroria kishte të drejtë në ndërhyrjet e saj. Në përfundim, gjykata vendosi të rrëzojë padinë e ngritur. Erjon Isufi ka qenë administrator në tre firmat e Damir Fazlliçit dhe kjo nuk e vë atë në përgjegjësi, ndërkohë që është larguar prej kompanisë së tij prej disa kohësh dhe tashmë ushtron veprimtarinë e tij private.