1. Kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2011 - 2012, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, janë 25 183, të ndara, si më poshtë vijojnë:


a. Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë 24 583


b. Kuota për program të dytë studimi 200


c. Kuota për transferim studimesh 300


ç. Kuota për shtetasit e huaj 100


2. Kuota e pranimeve të reja, për programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, përbëhet nga:


a. Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit 23 843


b. Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit 700


c. Kuotat për të verbrit (të veçanta) 20


ç. Kuotat për romët (ballkano-egjiptianë) 20


2. Kuotat e pranimit për të verbrit ndahen për kandidatët me statusin e të verbrit, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pasi merret mendimi i Shoqatës Kombëtare të të Verbërve.


3. Kuotat e pranimit për romët ndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pasi merret mendimi i Shoqatës Kombëtare të Romëve.


4. Kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Ato shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në ministri nga persona të interesuar.


5. Kandidatët që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë, në institucionet publike të arsimit të lartë në vitin e ri akademik 2011 - 2012, dhe që vijnë nga këto shtresa sociale si: të verbër/të shurdhër, invalidë, invalidë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, jetimët, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë, fëmijët nga prindër të dënuar politikë me heqje lirie, fëmijë të policëve e të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit.


6. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës, i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdon studimet.


7. Në çdo program studimi, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në vitin akademik 2011 - 2012, 3 (tre) studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë - preferencë), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit.


8. Transferimet e studentëve, në numrin përkatës të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, bëhen nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë, sipas kritereve të përcaktuara në aktet nënligjore dhe në statutin e rregulloret e tyre.


9. Studentët, që transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë, në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.


10. Kandidatët që kanë përfunduar me sukses provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të “Maturës Shtetërore” si dhe programin e parë të studimeve me rezultate të shkëlqyera, gëzojnë të drejtën të vijojnë studimet në një program të dytë studimi, brenda numrit të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë për pranimet në një program të dytë studimi.


11. Kandidatët që kërkojnë të studiojnë në program të dytë studimi në Universitetin e Arteve, në Universitetin e Sporteve të Tiranës, në programin e studimit të ciklit të parë “Edukim Fizik dhe Sporte” të universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër e të universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan dhe në programin e studimit të “Arkitekturës” të Universitetit Politeknik të Tiranës, duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta (përfshirë këtu konkurset e pranimit) të vendosura nga vetë këto institucione të arsimit të lartë.


12. Studentët, që vijojnë një program të dytë studimi i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit të njëjtë me koston e plotë të studimeve.


13. Shtetasit e huaj, që vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi, si shtetasit shqiptarë që vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, me përjashtim të rasteve kur, me marrëveshje zyrtare shtetërore, janë vendosur mënyra të tjera të përcaktimit të tarifave të shkollimit.


14. Pranimi i studentëve në institucionet e arsimit të lartë publik, që arrijnë rezultate kaluese në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të “Maturës Shtetërore”, bëhet vetëm në një raund dhe mbështetet në rezultatet e shkollës së mesme, të maturës shtetërore (Merita) si dhe përzgjedhjes së degëve (Preferenca) të bërë nga vetë kandidati/ja. Kuotat që mbeten të parealizuara nuk rishpërndahen.