Josip Kuze thotë se në qershor do të vendosë nëse do ta vazhdojë bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Futbollit apo jo. Selektori i kuqezinjve nuk ka menduar asnjëherë që ta drejtojë Kroacinë, derisa nuk ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në Dinamo Zagreb.


Nga Express më 12 prill 2011 në ora 12:46

Kombëtarja shqiptare shumëkënd e ka lënë gojëhapur me paraqitjet e saj në eliminatoret për Kampionatin Evropian 2012. Më meritori për këtë sukses të kuqezinjve pa dyshim se është selektori Josip Kuze.



Mirëpo, kuqezinjtë mund të mbesin pa strategun kroat, i cili ka kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në fund të këtyre eliminatoreve. Kuze, i cili ka marrë drejtimin e Shqipërisë në muajin maj të vitit 2009, ka bërë të ditur se në qershor do të vendosë nëse do t’i drejtojë kuqezinjtë edhe pas eliminatoreve për Euro 2012.



“Në qershor do të vendosin nëse do të mbetem në Shqipëri. Dua të jem aty ku shpaguhet dituria ime”, ka thënë ish trajneri i Dinamo Zagrebit në një intervistë për revistën sportive kroate Max.



58 vjeçari ka folur edhe për përfaqësuesen e Kroacisë, të cilën e ka kapluar kriza pas humbjes nga Gjeorgjia. Selektori i kuqezinjve thotë se nuk ka menduar asnjëherë që ta zëvendësojë trajnerin Slaven Bilic, i cili gjendet në presion.



“Nuk kamë menduar asnjëherë rreth kësaj, nuk kam asnjë lobues për këtë post e as që do të dua të lobohet për mua. Planet e mia janë të lidhura me gjëra tjera”, ka theksuar Kuze.



Mirëpo, trajneri i ekipit kuqezi nuk e ka përjashtuar mundësinë që një ditë të rikthehet te Dinamo Zagreb, të cilën e kishte drejtuar edhe gjatë sezonit 2005/2006. Drejtuesit e gjigantit kroat ka kohë që kërkojnë rikthimin e Kuzes në stadiumin Maksimir.



“Vazhdimisht jam në bisedime me Zdravko Mamiç. Atij dhe vëllait Zoran kurrë nuk do t’ua harroj mënyrën e mirë se si janë sjellë me mua edhe kur isha në periudha më të vështira. Vazhdimisht e telefononin djali tim Markon dhe brengoseshin për mua, por marrëdhëniet tona sportive janë diçka tjetër. Dinamo është gjithnjë temë, ndërsa shpeshherë mendoj rreth rikthimit. Brenda një vitit e gjysmë, Zdravko 2-3 herë më ka thirrur që të vij në Dinamo”, ka treguar ai.



Ish trajneri i disa skuadrave gjermane dhe kroate ka folur edhe për momentin e vështirë nëpër të cilin kaloi vitin e kaluar, kur u detyrua të shtrihet në spital urgjentisht pas gjakderdhjen në tru.



“Nuk i kamë marrë seriozisht paralajmërimet e mjekëve, ndërsa më pas më kanë thënë që isha shumë me fat. Injorimi nga ana ime më ka kushtuar shtrenjtë, por më shpëtoi gruaja e cila në momentin e sulmit ka qenë me mua. Unë edhe në atë gjendje nuk dëshiroja të shkoja në spital. Tash marr barëra, jam më aktiv dhe mund të vrapoj”, u shpreh ai.



Kuqezinjtë e Josip Kuzes ende i kanë gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Evropian 2012. Shqipëria zë vendin e tretë në Grupin D me 8 pikë sa ka edhe Bjellorusia në vendin e dytë, ndërsa ka katër pikë më pak se kryesuesi, Franca.