Pogradec, 28 prill, NOA /Milena Selimi - Përurohet
në Pogradec monumenti i shkrimtarit Mitrush Kuteli, i realizuar nga Muntaz
Dhrami dhe i vendosur në breg të liqenit, përballë monumentit të Poradecit.



Në prani të familjarëve, miqve, njerëzve të
letrave, përfaqësuesve të pushtetit vendor, monumenti i Mitrush Kutelit,
realizuar nga skulptori Muntaz Dhrami, është përuruar dje në qytetin e
Pogradecit.





Monumenti i Kutelit, realizohet 43 vjet pas
vdekjes së shkrimtarit.



Kryetari i bashkisë, Artan Shkëmbi e përshkroi
monumentin si "një vepër dinjitoze e realizuar nga skulptori Muntaz
Dhrami, që e falënderojmë për të dy monumentet e realizuara mjeshtërisht".



Djali i shkrimtarit, Pandeli Pasko, theksoi se
historia jonë ka filluar t'u kthehet vlerave të vërteta. Pasko kujtoi në këtë
takim një amanet të t'et: "Duajeni shqiptarinë dhe dheun e saj".



Në vazhdim, një sesion shkencor në Pallatin e
Kulturës "Lasgush Poradeci", me njohës të veprave të Kutelit, ku
studiues të veprës së tij folën për vlerat unikale të krijimtarisë.



Ky mjeshtër i prozës shqiptare na ka lënë një
prozë krejt të veçantë e cila njihet si "shkolla kuteliane".



I rritur midis bukurive të liqenit, të qytezës
së tij mbi ujë, Kuteli i fali prozës shqiptare perla të përjetësuara tek
"Pylli i gështenjave", "Lumi i madh", "Xha Brahua i e
Shkumbanores", "Netët e Kollozhekut", "Balta
Shqiptare", "Poem i Shën Naumit".



m.s/n.e/NOA