azil

Shqipëria po mpaket e po boshatiset nga numri i lartë i azilkërkuesve ndërsa turistët shihen të vijnë aq pak në numër, sa në kohën e komunizmit kur një turist shihej me aq kërshëri e habi saç shihet një "UFO" në qiell. Në mënyrë figurative, qeverisja e Ramës mund të përkufizohet si "azilantët ortek, turistët tek e tek". Përtej figuracionit, në një kuptim literal e më të shkoqitur, ky binom azilant-turist dëshmon në të dyja anët e tij krizë të thellë ekonomike, por edhe krizë të rendit dhe sigurisë. Tek e tek shihen të vijnë turistët pasi Shqipërisë i është rikthyer damka e harruar prej 10 vitesh, se s'ka drita e ujë. Tek e tek vijnë turistët pasi Shqipëria shihet një vend si "Wild West" ku rendi dhe siguria janë shndërruar në terma ekzotikë. Agjencitë ndërkombëtare informative kanë tanimë në repertorin e tyre të lajme vrasje turistësh në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut dhe në Shqipëri. Ortek azilantësh po mësyjnë Europën sepse Rama me oligarkinë e tij ka ndarë në aksione buxhetin e shtetit e u ka qethur shqiptarëve investimet për vende të reja pune e për ndihmë ekonomike. Ortek azilantësh mësyjnë Europën sepse Rama po shkon deri aty sa po heq bukën e gojës. Ortek azilantë sepse biznesi po falimenton nga taksat e larta ndërsa nga reprezalja që pritet të fillojë në shtator, pritet një falimentim masiv, e kur falimenton një biznes është një familje e tërë që i arratiset mjerimit nëpërmjet azilit. Shkurtazi, regjistri i QKR-së do të shërbejë si një regjistër azilantësh! Gjermanisë ka publikuar të dhëna të reja për kërkesat për azil. Sipas autoriteteve gjermane kërkesat për azil janë rritur me 93.2% krahasuar me korrikun e vitit 2014. Shqipëria rendit e dyta pas Sirisë me 7633 kërkesa për azil vetëm në muajin Korrik, ndërsa Siria është e para me 9413 kërkesa. Po ashtu janë 14 832 kërkesa për aplikim nga vendet e rajonit Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Ndërsa në total sipas Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë, nga të gjitha vendet janë 37 531 aplikime për azil në muajin korrik. E para në listën e Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë për kërkesa për azil është Siria, e pasuar nga Shqipëria, Serbia, Afganistani dhe Iraku. Maqedonia renditet e 6, me 1961 kërkesa për azil në muajin korrik, ndërsa Kosova në vendin e 7 me 1395 kërkesa për azil. Kurse Bosnje Hercegovina ka vetëm 786 kërkesa për azil në muajin korrik. Në periudhën prej Janarit deri në Korrik të vitit 2015 një total prej 218.221 perona kanë aplikuar për azil në Gjermani, duke përfshirë 195 723 si dhe kërkesave fillestare 22 498 si rezultat i kërkesave. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo paraqitje flet për një rritje me 124.8 përqind.

Shkëlzen Berisha: Kryeministri kërkon ekspozitë, shqiptarët kërkojnë azil

Djali i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha akuzon Ramën se bën shfaqje ndërkohë që shqiptarët po largohen gjithnjë e më shumë drejt Gjermanisë. Duke publikuar një foto nga raporti më i fundit i publikuar nga ministria e Brendshme Gjermane, ku shqiptarët renditen të dytët pas sirianëve me 7633 kërkesa vetëm për muajin Korrik. "Kryeministri kërkon ekspozitë, shqiptarët kërkojnë azil. Në vigjilje të ekspozitës së pikturave të Ramës në Gjermani numri i azilkërkuesve shqiptarë thyen rekord të ri në muajin korrik", shkruan Berisha.