Trazhgim Sokolaj

Qytetarët shqiptarë që disponojnë pasaporta biometrike do të kenë lehtësira në pajisjen me vizë për jashtë vendit. Policia e shtetit e konsideroi dje si kushtin e vetëm themelor për marrjen e vizës, zotërimin e pasaportës biometrike nga qytetarët. Në një deklaratë shtypi, zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, tha se “pas përfundimit të procesit të pajisjes me letërnjoftimin elektronik të qytetarëve që nuk dispononin pasaportë, një proces ky në funksion të zgjedhjeve parlamentare, Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve që nuk kanë aplikuar deri më tani për letërnjoftimin elektronik të paraqiten pranë zyrave të aplikimit për t’u pajisur me kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike”. Sipas deklaratës së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, pajisja me kartën e identitetit është e domosdoshme, që çdo qytetar të përfitojë shërbimet dhe të realizojë marrëdhëniet me institucionet publike dhe ato private. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, për të gjitha shërbimet që kanë të bëjnë me pagat, bankat, arsimin dhe pensionet, i vetmi dokument identifikimi do të jetë letërnjoftimi elektronik.
Pasaporta për vizat
Duke iu rikthyer çështjes së pasaportave biometrike, të cilat ofrojnë një nivel të lartë sigurie për pikat e kalimit kufitar dhe ambasadat, policia bëri thirrje që qytetarët të aplikojnë për dokumente të tilla, në mënyrë që të përfitojnë lehtësirat në pajisjen me viza për jashtë shtetit. “Pajisja me pasaportën biometrike bëhet në të njëjtën procedurë dhe në të njëjtën zyrë aplikimi. Disponimi i një pasaporte biometrike është një nga kushtet themelore të përfitimit të liberalizimit të vizave”, thuhet në deklaratën e shpërndarë dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Ministria e Brendshme. Sipas këtyre institucioneve, nga procesi i liberalizimit të vizave do të përfitojnë vetëm qytetarët që do të jenë të pajisur me pasaportën biometrike, ndërsa zotëruesit e pasaportave të vjetra nuk do të jenë në kategorinë e personave që përfitojnë nga ndryshimi i regjimit të liberalizuar për dhënien e vizave. Policia tha se i garanton qytetarët për kapacitetet e plota për aplikim ndërsa kërkoi që të gjithë t’u drejtohen zyrave përkatëse, për tu pajisur me këto dokumente të standardeve të larta.
Kartat e identitetit
Përfundimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit 2009 duket se ka ulur numrin e aplikimeve në Zyrat e Gjendjes Civile për karta identiteti. Përcaktimi i këtij dokumenti si i vetmi për të drejtën e votimit veç pasaportës, ndikoi në rritjen e dukshme të numrit të qytetarëve që janë paraqitur deri më 28 qershor 2009, për të aplikuar për karta identiteti. Aplikimet mësohet se kanë vazhduar edhe pse me ritëm më të ngadalësuar, ndërsa në momentin e mbajtjes së zgjedhjeve kishte rreth 100 mijë karta identiteti që ishin prodhuar por nuk ishin tërhequr nga qytetarët. Pas përfundimit të zgjedhjeve, burimet zyrtare thonë se të gjithë personat që nuk kanë letërnjoftim elektronik duhet të shkojnë menjëherë të pajisen me këtë dokument, që veç të drejtës së votimit lidhet me përdorimin e tij në banka, spitale, institucionet arsimore dhe instancat e tjera të shtetit.

BE vlerësoi pasaportat biometrike

TIRANE – Bashkimi Evropian ka dhënë miratimin për liberalizimin e vizave me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, të gjitha këto shtete të Ballkanit që po reformojnë sistemin e dokumenteve të identitetit. Serbia ka mbyllur plotësisht fazën e pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike ndërsa kjo ka qenë një prej pikave të vlerësuara nga BE, në lidhje me procesin drejt liberalizimit të vizave me vendet e zonës shengen. Pasaportat biometrike dhe dokumentet e sigurta të identitetit janë një nga kushtet kryesore ndaj vendeve që kërkojnë liberalizimin e vizave veç sigurisë së kufirit, marrëveshjeve të migracionit dhe reformave të tjera që duhen përmbushur sipas planveprimit.