rama

Dy fejesa politike, dy shkëmbime unazash, por ende asnjë firmë, asnjë marrëveshje e asnjë perspektivë për zgjidhjen e problemeve mes dy shteteve. Edhe njohja e diplomave është premtuar dy herë nga Edi Rama, por prapë u gënjye, sepse Vuçiçi s'pranon ta firmosë njohjen, prandaj Edvinit i mbetet të deklarojë se kemi rënë dakord në pranim për njohjen. Vizita e Vuçiçit ishte një vizitë boshe, një vizitë propagandistike për dy ortakë shqiptaro-serbë, që s'ndihen të sigurtë as në Beograd e as në Tiranë. Një propagandë e shtirur prodhon një rezistencë të vërtetë, prandaj edhe dialogu mes shqiptarëve dhe serbëve rrezikon të prodhojë pengesa, sa kohë në krye të tij gjenden dy frikacakë që s'guxojnë të firmosin ndonjë letër

Vizita e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Tiranë është vizita e parë e këtij lloji që konkludohet pa një marrëveshje të firmosur si në aspektin politiko-diplomatik, ashtu edhe atë ekonomik e infrastrukturor. Në konferencën e përbashkët për shtyp, dy kryeministrat, Rama dhe Vuçiç deklaruan se në takimin "kokë më kokë" cekën bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, rritjen e shkëmbimeve tregtare si dhe një projekt infrastrukturor, që është ajo e autostradës Durrës-Prishtinë-Nish-Beograd. Konkluzioni në letër: "asgjë e nënshkruar". Nuk ka qoftë edhe një marrëveshje të vetme të firmosur nga dy delegacionet që të justifikojë vizitën e Vuçiçit. Jo vetëm që për aspektin ekonomik mes dy vendeve nuk ka asnjë referencë drejt cekjes përpara të ndonjë projekti të përbashkët, por edhe një çështje që thuajse ishte e gatshme, ajo e diplomave ende nuk është miratuar. Çështja e shumë diskutuar kohët e fundit ka të bëjë pikërisht me nënshkrimin e një marrëveshje mes Tiranës dhe Beogradit, për njohjen reciproke të diplomave. Kuptohet se nga kjo marrëveshje ata të cilët përfitojnë direkt janë shqiptarët e Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medgjevës, të cilët kanë studiuar në Universitetin e Tiranës kryesisht, por që diplomat e tyre nuk njihen nga Ministria e Arsimit e Serbisë. Sot, kur Rama dhe Vuçiç i kanë kthyer vizitat njëri-tjetrit, çështja e diplomave është në vend numero, njësoj sikur nuk ka ekzistuar. Për të tretën herë radhazi, kryeministri Edi Rama gënjen dhe mashtron në mënyrë të turpshme shqiptarët e Luginës, duke përdorur një kauzë jetike të tyre, për interesat e tij politike. Në takimin e tij të parë me Vuçiç në takimin me Merkel në Berlin, tha se është në rrugën e duhur për nënshkrimin e marrëveshjes gjatë vizitës së tij në Beograd. Vizita u krye. Shkoi edhe në Preshevë për tu dhënë lajmin shqiptarëve se kishte bindur Serbinë që të njihte diplomat e Universitetit të Tiranës dhe se ishte nënshkruar marrëveshja posaçërisht për këtë çështje. Por, do të duhej një seancë dëgjimore e komisionit të Jashtëm me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme që të dilte të pah se "gjithçka kishte qenë gënjeshtër, pasi në Beograd nuk ishte nënshkruar asnjë marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave". Dje ishte mashtrimi i tretë dhe gënjeshtra më e turpshme kur u tha se vizita e Vuçiç do t'i shërbejë interesit reciprok mes dy vendeve, bashkëpunimit ekonomik e tregtar, në arsim, infrastrukturë etj. Bilanci i tre takimeve, dy zyrtarë dhe një informal, mes Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç është Zero! Përveç dokrrave mediatike ku flasin për një shekull të ri në marrëdhëniet e tensionuara shqiptaro-serbe siç i njeh historia që prej zbritjes së sllavëve në Ballkan, dy kryeministrat bëjnë sikur "fërkohen" për çështje parimore sipas tyre, siç është Pavarësia e Kosovës. Edhe pse Kosova është një shtet më vete që prej 17 Shkurtit të 2008-ës, me Kushtetutën dhe ligjet e tij, njësoj si Shqipëria e Serbia e çdo vend tjetër demokratik. I fryjnë një zjarri të pakuptimë, jo për të ndryshuar ndonjë situatë në rajon, as për të bindur Serbinë që të njohë Pavarësinë e Kosovës dhe as për të bindur Shqipërinë se "Kosova është e Serbisë", pasi si njëri ashtu dhe tjetri nuk e ndalin dot të ardhmen europiane të Kosovës, pasi ky është tashmë një realitet i pakthyeshëm. Nuk mund ta ndalin progresin dhe prosperitetin e këtij shteti me 'fërkime' sa në Beograd aq dhe në Tiranë të cilat i shfrytëzojnë për kapitalin e tyre politik dhe jo për ndonjë të mirë të përbashkët apo dhe në funksion të paqes dhe stabilitetit rajonal. Një propagandë e shtirur prodhon një rezistencë të vërtetë, prandaj edhe dialogu mes shqiptarëve dhe serbëve rrezikon të prodhojë pengesa, sa kohë në krye të tij gjenden dy frikacakë që s'guxojnë të firmosin ndonjë letër. Këtë situatë mes dy ortakëve shqiptaro-serbë e ka sjellë brishtësia e tyre politike në dy vendet respektike dhe të shtyrë nga paaftësia për të qeverisur drejt e për të afruar alternativën e zhvillimit e të shpresës, s'do mend që do kacaviren pas shtirjes nacionaliste, duke e përdorur këtë si kamardare shpëtimi sa herë janë në vështirësi.