Bushati-Papulias: Frymë pozitiviteti për gjetjen e zgjidhjeve për çështjet
Në ditën e parë të vizitës që po zhvillon në Athinë, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, u prit në një takim nga Presidenti Karolos Papulias. Marrëdhëniet greko-shqiptare janë strategjike dhe mjaft të rëndësishme, jo vetëm për dy vendet, por edhe për rajonin. Greqia mbështet Shqipërinë në rrugën e saj europiane- ishte kryefjala e këtij takimi që u zhvillua në pallatin presidencial të Athinës. Sipas tyre, këto marrëdhënie mbështeten në respektin dhe historinë e dy popujve tanë, që konsiderohen si më të vjetrit në rajon. Nga ana e tij, Presidenti Papulias u shpreh se është mik i fuqishëm i Shqipërisë dhe këtë ai e ka treguar në të gjitha postet që ka pasur gjatë karrierës së tij të gjatë në politikën greke. Jam shumë i emocionuar që pres në Athinë ministrin e Jashtëm të një vendi mik siç është Shqipëria. Të dy vendet kanë marrëdhënie të mira dhe mjaft pozitive. Zoti ministër, kam punuar shumë që këto marrëdhënie të jenë të mira- u shpreh Papulias, i cili gjeti mirënjohjen e ministrit Bushati. Zoti president, ju falënderoj për mikpritjen e ngrohtë. Greqia është një vend mik dhe me histori të madhe. Dhe unë jam i emocionuar që ndodhem këtu për të vizituar një vend mik, u shpreh ministri Bushati nga ana e tij. Gjithashtu, gjatë takimit ranë dakord se ka ardhur koha që të shihen me frymë pozitiviteti të gjitha çështjet që shqetësojnë marrëdhëniet dypalëshe. Vizita e Bushatit në Athinë ka vijuar edhe dje pasdite, ku kreu i diplomacisë u takua në ambasadën shqiptare me komunitetin që jeton në Athinë dhe Korinth. Takim mbresëlënës me komunitetin shqiptar- u shpreh pas takimit Bushati në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook. Ndërsa sot, Bushati do të pritet nga Kryeministri Antonios Samaras dhe ministri i Jashtëm, Evangjelos Venizelos, me të cilët pritet të diskutojë për një sërë marrëveshjesh midis dy vendeve. Ministri Bushati ndodhet në Greqi në kuadër të aktiviteteve të rëndësishme shumëpalëshe, Takimit XVI të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës Adriatiko-Joniane dhe Konferencës së Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut e Jonit (EUSAIR).
Ky shkrim Vizita e kryediplomatit në Greqi u publikua me pare te Gazeta SHQIP.