Miloshoski viziton zyrtarisht sot Kosovën

Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Miloshoski, do të vizitojë sot Prishtinën. Përveç me homologun e tij, ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, ministri Miloshoski, në vizitën e tij njëditore do të takohet edhe me krerë të lartë shtetërorë të Kosovës, përkatësisht me Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiun, dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin. Vizita e tij bëhet pak ditë pasi Kosova dërgoi në Shkup të ngarkuarin me punë, Skënder Durmishi. Edhe pse ende nuk janë përgatitur axhendat zyrtare të takimeve që ai pritet t’i zhvillojë me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, jozyrtarisht mësohet se kryediplomati maqedonas do të pritet nga Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Vizita e Miloshoskit në Prishtinë është konfirmuar të enjten për “Express” nga Abdylkader Mehmeti, sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Maqedoni.


“Më 15 mars, ministri i Jashtëm i Maqedonisë do të qëndrojë në Prishtinë për vizitë zyrtare. Vizita e ministrit është në varg të vizitave që ai po bën në disa shtete. Kjo dëshmon edhe marrëdhëniet shumë të mira që janë mes Maqedonisë dhe Kosovës”, tha Mehmeti. Detajet rreth vizitës dhe axhenda e takimeve të Miloshoskit në Prishtinë, Mehmeti tha se ende nuk janë finalizuar.
Vizita e Miloshoskit në Prishtinë bëhet pak ditë pasi MPJ e Kosovës dërgoi në Shkup të ngarkuarin e përkohshëm me punë, Skënder Durmishin. Ky i fundit, meqë nuk është ambasador shteti, nuk ka dorëzuar fare letrat kredenciale te Presidenti i shtetit mikpritës. Për vendosjen e Durmishit si i ngarkuar me punë në Maqedoni, procedurat kanë qenë më ndryshe.








#