Vjedhja e transformatorit në fshatin Shtyllas të Komunës së Levanit, në Rrethin e Fierit, ka lënë prej 10 ditësh komunitetin e dy komunave pa ujë dhe drita. Ndërkaq, zëvendësimi me një transformator të ri ka sjellë edhe përplasje mes ujësjellësit, filialit të OSSH-së, si dhe Komunës Levan. Banorët ankohen se asnjë prej pushtetarëve nuk i ka dhënë zgjidhje problemit të tyre. Po ashtu, banorët thonë se jetojnë si në Mesjetë, pa drita dhe pa ujë. "Po na thonë integrim ditë e natë, por këta që premtojnë këtë gjë, nuk po pyesin për një komunitet me më shumë se 12 mijë banorë. As drita dhe as ujë nuk po na bien. As që duan t‘ia dinë për këtë", tha Violeta, një banore e fshatit Levan. Banorët e fshatrave të dy komunave u janë drejtuar autoriteteve me qëllim zgjidhjen e problemit. Mësohet se nga komunat ata janë përcjellë duke u thënë se nuk është kompetencë e pushtetit vendor zëvendësimi i transformatorit. I pyetur nga gazeta "Shqip", Pirro Ndreu, drejtori teknik i Ujësjellësit, ka thënë se që nga viti 1999, Ujësjellësi i Fierit, nga varet edhe stacioni i pompave të ujit në Shtyllas ku është vjedhur transformatori, nuk ka nën administrim asnjë linjë të tensionit të mesëm.



Ma.Tr.