Policia e Vlorës në bashkëpunim me Guardia Di Finanza dhe Rojën Bregdetare ka sekuestruar 1 110 kg lëndë narkotike kanabis sativa si dhe një mjet lundrues, gomone. Burimet zyrtare bëjnë me dije se operacioni i koduar Karaburuni,  ka nisur mesditën e datës 5 shtatorit 2017 dhe është ende në vijim. Sipas të dhënave, rreth orës 14:44, në Sallën Operative të Policisë Vlorë, ka mbërritur një telefonatë për largimin nga vendbanimi të një mjeti lundrues, pa kryer procedurat e daljes në det.


Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, Reparti Special Delta dhe GdF, kanë dalë në det dhe kanë filluar kërkimin e mjetit lundrues në zonën detare Shën Jan-Kepi i Gjuhëzës, në Karaburun.


Gjatë kërkimit, në vendin e quajtur Zhapovel në Karaburun është konstatuar një mjet lundrues, “gomone”, i cili ecte me shpejtësi në drejtim të bregut të detit.  Në ndjekje të mjetit lundrues me një person në bord, janë vënë mjetet lundruese të Policisë Kufitare, Delta Forcë, GdF-së dhe Rojes Bregdetare.


Personi ka braktisur në breg të detit në Karaburun gomonen me një motorr Mercury 150 hp  dhe është larguar duke përfituar edhe nga terreni i pyllëzuar në këtë zonë.  Nga toka kanë shkuar forca të tjera të Policisë Kufitare  Vlorë , Repartit Special Delta, të cilët kanë bërë krehjen e të gjithë zonës, por nuk është arritur të gjendet personi i larguar nga mjeti lundrues. Për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës, shërbimet e përbashkëta janë lënë në terren gjatë gjithë kohës, për tu riorganizuar sërish në mëngjesin e datës 06.09.2017.


Në orët e para të mëngjesit të datës 06.09.2017, shërbime të përbashkëta të Policisë Kufitare Vlorë, Drejtorisë Vendore të Policisë  Vlorë, Repartit Special Delta, Guardia di Finanza  dhe Rojes Bregdetare  kanë filluar sërish krehjen e zonës ku u gjet mjeti lundrues dhe të zonës përreth, në të cilën dyshohej se fshihej lënda narkotike që do të trafikohej me mjetin lundrues gomone.


Nga kontrolli i ushtruar në të gjithë zonën, në vendin e quajtur Depot e Valanidhit në Karaburun, midis Gjirit të Bristanit dhe Gjirit të Gramës në Karaburun, u arrit të gjendej një sasi lënde narkotike kanabis sativa,  1 110 kg, e paketuar në 54 pako të mëdha, e shpërndarë midis pemëve dhe shkurreve.


Gjithashtu në afërsi të lëndës narkotike në pyll janë gjetur dhe 5 kafshë transporti (mushka), të cilat dyshohet se janë përdorur për transportimin e lëndës narkotike nga një zonë në tjetrën. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor  për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore, në lidhje me mjetin lundrues dhe sasinë e lëndës narkotike të gjetur.


Nga shërbimet e përbashkëta të DVKM Vlorë, DVP Vlorë, Repartit Special Delta dhe Guardia di Finanza vazhdon krehja e gjithë territorit në Karaburun. Në drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë janë shoqëruar disa persona ndërmjet tyre është marrë në pyetje edhe pronari i gomones, i cili ka deklaruar rreth personit  që ka nxjerrë gomonen pa lejen e tij në det, ku vijon puna nga ana e policisë për kapjen e tij. Vijon puna nga ana e Specialistëve për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë  për zbardhjen e plotë të këtij rasti, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.



6 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)