Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për vrasjen e balerinës Sonila Tafa në një klub nate në Tiranë dhe kërkon burgim të përjetshëm për shtetasin Artur Kuliçi, i akuzuar për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Ngjarja ka ndodhur në datën 05.04.2013, në një lokal nate, në periferi të kryeqytetit.




Sipas prokurorisë, Artur Kuliçi, para se të ekzekutonte balerinën, ka patur një zënkë me disa persona në ambientet e brendshme të lokalit të natës, çka ka detyruar badigardët ta nxirrnin jashtë tij. Rojet e sigurisë, kanë lejuar më pas që njëri prej grupeve rivale të hynte brenda, çka duket se ka irrituar jo pak Kuliçin. Në dosjen e prokurorisë, thuhet se Artur Kuliçi është rikthyer sërish tek lokali rreth orës 03.30, duke qëlluar me breshëri kallashnikovi, në drejtim të hyrjes kryesore. Plumbat i kanë marrë jetën balerinës, Sonila Tafa e cila ishte viktimë rastësore e ngjarjes, ndërsa sipas prokurorisë me veprimet e tij, Artur Kuliçi ka rrezikuar jetën e shumë personave të tjerë, fakt ky që e rendon jo pak pozitën e këtij të pandehuri.

AdPlatformZone = {id: "549fcab82",format: "410x0"};


EKZEKUTIMI




Gjatë hetimeve ka rezultuar se balerina Sonila Tafa, kishte shkuar me një grup miqsh në ambientet e lokalit të natës, “Dream City” në dalje të Tiranës. Në orët e para të mëngjesit, dy grupe të rinjsh, ku në njërin prej tyre bënte pjesë dhe Artur Kuliçi janë grindur ashpër me njëri-tjetrin, për shkak edhe të faktit se kishin konsumuar sasi të mëdha alkooli. Me qëllim që të mos agravonte situata, rojet e sigurisë së lokalit të natës kanë ndërhyrë, duke nxjerrë jashtë protagonistët e sherrit, mes tyre dhe Kuliçin. Ky i fundit fillimisht është larguar dhe më vonë është kthyer i armatosur me një armë tip kallashnikov. Rreth orës 03.30 të së dielës, ai ka qëlluar në drejtim të hyrjes kryesore të “Dream City”, ku në shënjestër kishte personat me të cilët ishte konfliktuar. Një nga plumbat e kallashnikovit ka goditur në kokë balerinën Tafa, e cila ka gjetur vdekjen rrugës për në spital.




ARTUR KULIÇI ENDE NE KERKIM

Artur Kuliçi nuk është arrestuar ende, ndaj policia e ka shpallur atë në kërkim ndërkombëtar. Gjyqi ndaj tij, me shumë gjasë do të zhvillohet me kafazin bosh dhe do të firmoset një vendim fajësie për krimin e rëndë, nëse gjykata do të bindet për fajësinë e tij në vrasjen e balerinës. Provat që ka në duar prokuroria për të vërtetuar autorësinë e Kuliçit, veç dëshmive të shumta të marra nga persona të ndryshëm që gjendeshin në lokalin e natës, janë pamjet filmike të kamerave të sigurisë, si dhe mjaft prova të tjera shkencore.