Armand Bajrami


Kishte vrarë pas konfliktit të lindur për një zgarë mishi, gjykata e dënon në mungesë me 24 vjet heqje lirie. Gjykata e Tiranës dha verdiktin përfundimtar për shtetasin Altin Nikolla, të akuzuar si ekzekutorin e kasapit Pjetër Qafa në vitin 2004. Ndërkohë që si bashkëpunëtorë në këtë vrasje janë dënuar me një total prej 50 vjetësh burg babai dhe vëllai i tij. Togat e zeza të kryeqytetit mbyllën dje shqyrtimit gjyqësor në ngarkim të Altin Nikollës. Pasi dëgjuan konkluzionet përfundimtare të prokurorisë dhe konkluzionet e mbrojtjes, gjykata deklaroi fajtor Nikollën dhe e dënoi atë me 24 vjet heqje lirie. “Deklarohet fajtor për veprën penale të ‘vrasjes me paramendim në bashkëpunim’ dhe të ‘mbajtjes pa leje të armëve luftarake’ dhe dënohet me 24 vjet heqje lirie”, thuhej në vendimin e gjykatës.
Por nga këto vite Nikolla do të qëndrojë vetëm 16 të tillë në burg, pasi për të u aplikua gjykim me kohë të shkurtuar.
Nikolla u gjykua në mungesë nga drejtësia shqiptare, pasi aktualisht ai ndodhet i arrestuar në Itali, për një vepër tjetër penale të kryer në atë vend. 
Ngjarja për të cilën Altin Nikolla dhe babai e vëllai i tij, Preng e Florian Nikolla nisën “hesapet” me drejtësinë ka ndodhur në vitin 2004 në zonën e Kamzës në kryeqytet. Gjithë “strumbullari” ishte një zgarë për të pjekur mishin, të cilën ia kanë marrë Pjetër Qafës, po banor i Kamzës, që punonte si kasap. Vonesa në kthimin e kësaj zgare tek pronari i saj kishte krijuar konfliktin mes palëve, që u mbyll me tragjedi. Konflikti i nisur për hiçgjë precipitoi në një sherr që u mbyll me vrasjen e kasapit Qafa. Pas ngjarjes policia arriti të arrestojë vetëm babanë dhe vëllanë e Nikollës, ndërsa ai vetë arriti t’i fshihet drejtësisë. Që në seancat e para, pas dërgimit të dosjes në gjykatë, gjykimi i tyre u veçua nga ai i Altin Nikollës, i cili u cilësua si ekzekutori i Qafës. Gjatë gjykimit, i cili u bë me kohë të shkurtuar, Preng e Florian Nikolla pranuan bashkëpunimin në vrasje, ndërsa nuk pranuan armëmbajtjen pa leje. Në përfundim gjykata vendosi për babë e bir dënimin me nga 25 vjet heqje lirie, nga të cilat duhet të vuanin 18 vjet e 6 muaj. Ndërsa në janar të vitit 2009 filloi në Gjykatën e Tiranës gjykimi në mungesë të Nikollës për akuzën e “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.


Të dënuar

- Preng Nikolla, (babai) 25 vjet burg
- Altin Nikolla, (djali) 24 vjet burg
- Florian Nikolla (djali) 25 vjet burg