Partia Lëvizja e Legalitet kërkon rikthimin e dënimit me vdekje. Në një konferencë për shtyp kreu i kësaj partie Ekrem Spahia deklaroi se duke marrë parasysh krimet e shumta si dhe vrasjen e kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiri është e domosdoshme që në vendin tonë të zbatohet dënimi me vdekje.
Gjithashtu kreu i PLL-së kërkoi distancim të opozitës në lidhje me akuzat e hedhura kundrejt figurës së mbretit Zog. “Në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe nderimit të personaliteteve të shquar të historisë së shtetit tonë, Partia Lëvizja e Legalitetit vlerëson maksimalisht angazhimin e qeverisë shqiptare për kthimin në atdhe të eshtrave të Mbretit Zog dhe ndërtimin e mauzoleumit përkatës që do të ngrihet aty ku ka qenë mauzoleumi i mëparshëm që u shkatërrua me dinamit prej komunistëve kur hynë në Tiranë”, tha ai.
Këto deklarata të Spahias erdhën pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie për nisjen e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.