Ushtria e Pakistanit ka njoftuar se nga sulmet ajrore, në pjesën veriperëndimore të këtij vendi, janë vrarë afro 31 luftëtarë talebanë.

Administratorët lokalë politikë, Vajid Kan dhe Amir Gula, thanë se herët në mëngjes ka pasur sulme me bomba në rajonet fisnore Orakzai dhe Kurram.

Një zyrtar ushtarak, duke folur në kushte të anonimitetit, tha se bazat në qarkun Orakzai, që përdoreshin nga mbështetësit e komandantëve talebanë, Mullah Tufan dhe Mohejudin, janë shkatërruar.

Sipas këtij zyrtari, është e mundshme që komandanti Mohejudini është vrarë.

Këto sulme u bënë pas luftimeve të ashpra në rrethin Kurram, ku trupat qeveritare të Pakistanit dhe militantët luftuan për një kodër strategjike, nga e cila shihen rrugët në Afganistan.

Në anën tjetër, sipas një raporti ushtarak të SHBA-së, i siguruar nga organizatat e informacioneve, shërbimet sekrete të Pakistanit po i ndihmojnë militantët talebanë afganë që t’i planifikojnë sulmet e tyre kundër forcave të jashtme në Afganistan.

Raporti ishte përgatitur nga ushtria e Shteteve të Bashkuara dhe u ishte dhënë oficerëve të lartë të NATO-s në dhjetor të vitit të kaluar.

Ministria e jashtme e Pakistanit e ka hedhur poshtë këtë raport, duke e cilësuar atë si “të pavlefshëm” dhe duke thënë se Pakistani është i përkushtuar që të mos përzihet në Afganistanin fqinj.