Sulmuesi i padëshiruar i Totenhamit Xhovani dos Santos ka bërë të ditur se dëshiron të transferohet te klubi nga La Liga, Sevilja. Dos Santos dështoi të tregojë cilësitë e tij në “White Hart Lane” pas transferimit nga Barcelona më 2008 dhe në sezonet e fundit ishte huazuar te Ipsuiç, Gallatasaraji dhe Rejsing Santander. Edhe pse është kthyer te Totenham, klubi anglez synon ta shesë para përmbylljes së afatit kalimtar të verës. Dos Santos preferon kalimin në Sevilja. “Sevilja është preferenca ime. Ata janë një klub i madh spanjoll dhe më pëlqen mundësia të luaj për këtë skuadër”, tha Dos Santos për AS.