21/08/2009  Arkeologët zbulojnë vendbanimin e 7 mijë vjet para Krishtit


Korçë- Ekspedita gjeologjike shqiptaro-franceze ka zbuluar në fshatin Goricë në zonën e Prespës vendbanimin më të madh të neolitit, krahasuar kjo me vendbanimet e identifikuara dhe të zbuluara deri tani në rrafshin mesdhetar dhe në atë ballkanik. Gjetjet arkeologjike të sapozbuluara tregojnë jo vetëm për një vendbanim të madh, por edhe për një vazhdimësi jete që nga neoliti i mesëm e deri te neoliti i vonë, ku pas kësaj periudhe duket se jeta është ndërprerë. Megjithatë, fal hapësirës ku shtrihet ky vendbanim dhe intensitetit të jetës që ka pasur ai, gjetjet arkeologjike kanë qenë të shumta, të cilat kanë ndihmuar arkeologët në datimin e këtij vendbanimi. Sipas arkeologëve të kësaj ekspedite, materialet e gjetura janë mjete pune dhe mjete të përdorimit, përfshi këtu edhe prodhimet prej qeramike. Lidhur me këto gjetje arkeologët do të ndalen dhe në analizën e mënyrës së prodhimit dhe mjeshtërisë së tyre. Megjithatë, nga përfundimet e nxjerra rezulton se ky vendbanim ka ekzistuar 7 mijë vjet përpara Krishtit. Të njëjtët burime bënë të ditur se vendbanimi eneolitik i zbuluar në këtë vend, shtrihet në një sipërfaqe prej 9 hektarësh, çka do të thotë se tashmë ky vendbanim do të kthehet në një vend studimi jo vetëm për arkeologët, por edhe studiuesit, historianët etj, të cilët do të mund të hedhin dritë mbi kulturën materiale dhe shpirtërore të banorëve të këtij vendbanimi. Gërmimet dhe studimet e mëtejshme nuk përjashtojnë as analizat tipologjike të gjetjeve arkeologjike. Një vendbanim kaq i madh, i pazbuluar deri më sot në rrafshin ballkanik do të tërheqë vëmendjen e arkeologëve edhe për sa u përket analizave krahasuese, në lidhje me marrëdhëniet që kanë pasur këta banorë me të tjerët. Gjithsesi shpjegimi se për çfarë arsyesh është ndërprerë jeta në periudhën e neolitit të vonë do të jetë një tjetër objekt studimi, i cili është i lidhur ngushtësisht dhe me faktet historike dhe lidhjes me popujt e tjerë. Në zonën juglindore të vendit deri tani numërohen rreth 90 vendbanime, por pas këtij zbulimi në krye të vendbanimeve të zbuluara do të qëndrojë vendbanimi neolitik i zonës së Prespës. Në këtë zonë gjatë viteve të fundit, arkeologët kanë mundur të zbulojnë në mënyrë të vazhdueshme gjetje arkeologjikë të prehistorisë, që me sa duket gjurmët e deritanishme, i çuan në vendbanimin më të madh neolitik të Ballkanit.


Gjirokastër: Përfundon ekspeditën në qytetin antik të Hadrianopolis


GJIROKASTËR - Misioni i katërt i kërkimeve arkeologjike në qytetin antik të Hadrianpolis dhe në Lugën e Drionës, ka përfunduar ditën e enjte.


Kërkimet arkeologjike kanë vijuar edhe brenda në teatër, ku janë individualizuar disa struktura të vona, që lidhen me transformimet që pësoi objekti gjatë periudhës bizantine.


Me interes të veçantë janë edhe kërkimet në Nekropol, që pas kërkimeve me gjeoradar që u zhvilluan një vit më parë, sivjet filloi gërmimi arkeologjik, duke bashkëpunuar edhe me drejtuesit e lartë të Komunës së Dropullit të Poshtëm.


Në afërsi të teatrit të Hadrianopolit janë zbuluar deri tani 6 vare, të cilat ndihmuan për të përcaktuar më mirë karakteristikat e këtyre monumenteve të veçanta, si dhe topografinë e nekropolit që shtrihet në një zonë shumë të madhe. Kërkimet arkeologjike janë pjesë e Projektit “Archadrin”, ku si objektiv kryesor ka kontributin në zhvillimin e qëndrueshëm të territorit shqiptarë, nëpërmjet njohjes, mbrojtjes dhe vlerësimit të pasurisë arkeologjike të qytetit romak të Hadrianopolis dhe të Luginës së Drinos.


Qyteti antik i Hadrianopolis ndodhet 14 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës. Gjatë studimeve gjeosizmike dhe me gjeoradar të misioneve të zhvilluara në periudhën 2006-2007, është arritur të konfirmohet në linja të përgjithshme shtrirja e qytetit 350 metra në drejtim lindje-perëndim dhe 400 metra në drejtim veri-jug me teatrin si pikë referimi, e cila ka një kapacitet prej 4 mijë spektatorësh, është i pajisur me 27 shkallë, ka 4 hyrje dhe një skenë me dy kate. Për herë të parë ai u evidentua gjatë Luftës së Parë Botërore nga arkeologu austriak, Prashniker. Gërmimet e para në këtë objekt u kryen në vitet 1980 nga Instituti i Arkeologjisë.