Zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apaturaj, ka deklaruar dje se tre vendet e Kartës së Adriatikut “A3” - Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia - kanë shance të mëdha për t’u bërë anëtare të NATO-s me të drejta të plota. Sipas tij, puna e vërtetë për këto vende do të fillojë mbas këtij anëtarësimi pasi këto vende do të përballen me reforma të vështira dhe për këtë duhet të tregojnë veten. Ai theksoi se procesi për në NATO është një proces që nuk do të marrë fund ndonjëherë, por gjithmonë do të ketë një standard për t’u plotësuar. Zëdhënësi i NATO-s, Apaturajka, u shpreh njëkohësisht se tragjedia e Gërdecit nuk ka për të ndikuar në vendimin politik të 26 krerëve të anëtarëve të NATO-s. “Ky është një moment i rëndësishëm për të tre vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në NATO. Ne kemi bërë vlerësime për të tre vendet, por askush nuk mund të thotë se ato nuk duhet të vazhdojnë me përmirësimet. Duhet të vazhdojnë më tej reformat që askush të mos mendojë se progresi i tyre ka mbaruar. Është një proces që nuk mbaron kurrë. Nëse ndokush ndalet, atëhere lihet pas shumë shpejt. Pra, ky është një parim i rëndësishëm që duhet ta dijë çdo vend aspirant që pasi je anëtarësuar nuk duhet të ndalesh, por duhet të vazhdosh më tej. Anëtarësimi është një vendim politik që merret nga 26 vendet anëtare”, - tha Apaturajka.







1 Prill 2008