Balerini Astrit Zejnati interpretoi dje në shfaqjen e fundit të "Rajmonda" dhe "Spartaku". Në Shqipëri gjendet jo vetëm për të kërcyer, por edhe për të mësuar trupën e TOB-së. Ai tregon për rolin dhe sekretet e të kërcyerit pas të 30-ve





Dikur skena e Teatrit të Operës dhe të Baletit ka qenë shtëpia e dytë e balerinit Astrit Zejnati, ndërsa sot është vetëm një skenë mikpritëse, ku herë pas here vjen të marrë emocione që vetëm vendlindja mund t'ia japë.





Dje ka interpretuar në shfaqjen e fundit të dy suitave të baletit "Rajmonda" dhe "Spartaku" të sjella nga koreografi Leonard Xhokaxhi (Ajkun). Ai interpretoi vetëm në suitën "Rajmonda", në rolin e admiruesit Jean De Brienne, figurë të cilën e përcolli në një mënyrë shumë delikate.





Ndonëse është larguar nga TOB, prej gati 15 vitesh, Zejnati dukej se nuk e kishte harruar parketin e skenës ku u formua. Kjo vërehej më së shumti në sigurinë dhe shkathtësinë me të cilën ai realizonte figurat koreografike.





Balerini përfundoi liceun artistik "Jordan Misja" në vitin 1992, në klasën e balerinit Ilir Kerni, për të cilin tregon se ende e ka idhull. Viti pasardhës e gjen solist në TOB, vend të cilin e mban vetëm për pak kohë. Në 1994 largohet nga Shqipëria. Qysh atëherë kërcen në shumë skena të kontinentit amerikan.





Stacioni i fundit është kompania "Ballet Arizona" ku është solist i parë dhe jep mësim. Në Tiranë nuk ndodhet vetëm për të kërcyer, por edhe për t'i dhënë trupës së TOB, eksperiencën e baletit, përtej oqeanit. Zejnati, pak orë para shfaqjes së fundit, tregon për rolin, karrierën dhe vështirësitë që ka një balerin për të qëndruar në formë, pas dekadës së tretë të jetës.





Astrit, t'i ke qenë balerin në TOB, 15 vite të shkuara, të kujtohet roli i parë që ke interpretuar?





Ka qen roli i Albrecht-it në baletin Zhizel. Kam kërcyer me Reida Dobin nën kujdestarinë e profesorit Agron Alia. Ai më ka ndihmuar profesionalisht dhe nga ana njerëzore. Padyshim edhe pedagogu im Ilir Kerni. Jam, si të thuash, nxënësi dhe pasqyra e vetme e tij. Ishte edhe Kledi Kadiu, po tani ai ka filluar një zhanër tjetër, baletin konteporan. Kështu, jam i vetmi që kërcej baletin klasik si dhe ai.





Kishe vetëm një vit që punoje si solist në TOB kur u largove nga Shqipëria. Përse vendose të ndërprisje këtë karrierë të sapofilluar?





Jam larguar si të gjithë në atë kohë. Ishte një biznesmen nga Kosova që më ndihmoi në Amerikë dhe ishte ai që më çoi në universitetin e Oklahomës, në të cilin studiova dy vjet. Pastaj në vitin '95 me ofruan një kontratë si solist në Seattle në Washington. Më pas në vitin 2000 kalova në një kompani baleti në Majami. Në 2002 drejtori i trupës së Arizonës më ofroi një kontratë të rëndësishme, dhe kjo më bëri të lija Floridën dhe të shkoja në Arizona, ku jam prej 7 vjetësh.





Që nga viti '92 kur ke përfunduar liceun dhe deri sot bëhen 17 vjet karrierë. Sa role numëron në repertor?





Faktikisht nuk e kam menduar ndonjëherë se sa role kam kërcyer. Kam kërcyer të gjitha rolet e baleteve klasike, "Bukuroshen e fjetur", "Zhizelin", "Don Kishotin" etj. Por kam kërcyer një numër të madh baletesh moderne dhe konteporane.





Kjo do të thotë që nuk merresh vetëm me baletin klasik?





Ne i bëjmë të gjitha llojet e kërcimit, me kompaninë në Arizona. Duhet t'i bëjmë. Kërcejmë Balanchine, që është një balet neoklasik, baleti më i ri që po përdoret në Amerikë tani. Bëhet fjalë për balet të bazuar në një teknikë të re, që e ka formuluar George Balanchine në vitet 1930. Baleti që interpretojmë ne tani është krijuar që në vitet 1800, ndërsa në 1930 është avancuar. Ky balet është emërtuar Balanchine për nder të koerogafit George Balanchine, më i talentuar i shekullit XX.







Në suitën "Rajmonda" interpretove rolin e adhuruesit të saj, Jean De Brienne. Sa familjar je me këtë personazh?





E kam kërcyer një herë në Londër në "Sadler's Wells Theatre". Është një rol romantik, një xhentëlmen që bie në dashuri me Rajmondën. Është një histori romantike. Ne nuk e kemi treguar të gjithë historinë. Kemi përdorur vetëm kërcimet, në mënyrë që publiku të shijojë aspektin fizik të kërcimit jo, aspektin dramatik të tij. Është balet shumë i vështirë sepse kërkon një përgatitje shumë të madhe fizike.





Sa kohë të ka marrë përgatitja e këtij roli?





Kur e punova për herë të parë m'u desh rreth një muaj. Ndërsa për ta rikthyer përsëri rreth dy javë punë intensive. Kur realizon një herë një rol është më e lehtë për ta përsëritur. Për një rol të ri punoj rreth një muaj, kaq është edhe afati më i gjatë. Pastaj është edhe eksperienca. Sa më shumë eksperiencë të kesh, aq më lehtë futesh në aspektin e një roli.



Cili ka qenë momenti më i vështirë për t'u realizuar?





Më e vështirë për t'u realizuar për mua është të arrish ta bësh rolin fizikisht pa treguar lodhje te publiku. Sepse ka shumë veprimtari fizike dhe ndjehesh shumë i lodhur. Fshehja e lodhjes, ajo është më e vështira pothuajse në të gjitha baletet.





Dhe cili është sekreti yt për të fshehur këtë lodhje?





Duhet ta përsëris shumë herë, një herë, e një herë ... deri sa të mësohet trupi. Nuk ka sekret, duhet të formosh një sistem.





Sa orë në ditë ushtrohesh për të formuar këtë sistem?





Në Amerikë ushtrohem 4-5 orë në ditë intensivisht, pesë ditë në javë. Të shtunave shkoj në punë vetëm për të bërë disa ushtrime që të mbajë vazhdimësinë e trupit. Kur kalon të 30-at, është me e lehtë që të krijohen dëmtime në trup. Kështu që duhet të mbash muskujt në formë dhe është e vetmja rrugëzgjidhje që të kërcesh sa më shumë.





Ti përmende që në një farë mënyre je pasardhësi i vetëm i Ilir Kernit për sa i përket kërcimit klasik. Çfarë ka mbetur te ty nga teknika e tij?





Prof. Iliri është një kërcimtar shumë i mirë, nuk mund të krahasohem me të. Është si puna e portokalleve dhe mollëve, që të dyja janë fruta, por janë shumë të ndryshme. Ai ka tjetër zotësi fizike, është i gjatë, ka tjetër mënyrë të kërcyeri. Kur isha student, jam përpjekur ta kopjoja. Kështu më udhëzonte dhe ai: "Duhet të vish në shfaqje, të shohësh si i bëj lëvizjet dhe t'i bësh edhe ti pastaj".





Ndjekja e shfaqjeve më ndihmoi shumë sepse e mësova mendjen time si të shikoja dhe të merrja sa më shumë, nga një kërcimtar dhe si t'i përdorja për veten time. Kam vëzhguar shumë kërcimtarë të mëdhenj botëror si Baryshnikov, Nureyev etj. I kam vëzhguar me imtësi dhe kam marrë pjesë nga kërcimi i tyre, nga mjeshtëria e tyre dhe i kam futur në trupin tim që dhe unë t'i praktikoj.





Dhe sa arrin ta përçosh këtë "shkollë kërcimi" që ke krijuar?





Faktikisht edhe këtu në TOB, tani që kam ardhur kam dhënë mësim edhe për trupën tonë. Kemi shkëmbyer eksperiencë, sepse mënyra e të kërcyerit në perëndim ka ndryshuar pak, mund të them që ka avancuar. Është mirë që të shkëmbejmë eksperienca sepse edhe balerinët janë të interesuar që të mësojnë çka bëhet në Perëndim. Shkëmbimi i eksperiencës është gjithmonë produktiv.