Ministri serb për Kosovën Goran Bogdanovic deklaroi se ndoshta nuk do të mbahen zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë.


“Nuk dëshirojmë që ta shkelim Rezolutën 1244 dhe ndoshta nuk do të organizojmë zgjedhjet lokale në Kosovë”, ka thënë Bogdanovic për mediat serbe.


Ai ka theksuar se është në interes shtetëror që në Kosovë të mbahen edhe zgjedhjet lokale edhe parlamentare, por siç ka thënë ai  kështu “do të ngriheshin tensionet, në veçanti po që se mbahen zgjedhjet lokale”.


Bogdanovic ka thënë se ekziston një mirëkuptim i bashkësisë ndërkombëtare dhe Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.


Pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare nuk mund të organizojmë kurrfarë zgjedhjesh në Kosovë. Nuk duam ta shkelim rezolutën 1244″, ka thënë ministri serb.


Serbia ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve lokale për disa komuna kosovare. Ky hap është kritikuar nga mekanizmat ndërkombëtarë dhe nga Prishtina zyrtare. Zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Serbisë mbahen më 6 maj.