ERVIN DEMO


Rinia është e ardhmja e një vendi dhe arsimi është mekanizmi që e skalit atë për një të ardhme më të mirë për veten dhe, rrjedhimisht, për kombin. Diskutimet për rëndësinë që ka rinia dhe arsimi përgjithësisht janë kthyer në klishe, të cilat amplifikohen gjatë fushatave elektorale. Të gjithë tashmë jemi të familjarizuar me konceptin që çelësi i një zhvillimi të qëndrueshëm social-ekonomik është arsimi. Por shpesh ka pikëpyetje rreth asaj se çfarë është duke u bërë që arsimi të jetë në atë nivel ku arrin të ofrojë një zhvillim të qëndrueshëm social-ekonomik? Nëse ne dështojmë në arritjen e një niveli arsimor, i cili do të ofronte zhvillim të qëndrueshëm, ne kemi dështuar rininë, kemi dështuar të ardhmen dhe i kemi bërë një dëm shumë të madh kombit.

Vendi ynë, në krahasim me vendet e zhvilluara, dukshëm ka një popullsi më të re. Ky është një aset shumë i madh dhe në të ardhmen mund të jetë një avantazh konkurrues, nëse ne do të dimë ta përdorim ashtu siç duhet. Ia vlen për tu përmendur fakti që vende si Rusia, janë duke përgatitur programe dhjetëra miliardë dollarëshe që të rrisin numrin e lindjeve. Vende të tjera të zhvilluara parashikojnë probleme serioze në të ardhmen për shkak të plakjes së popullsisë, ku do të rritej presioni mbi shërbimet sociale, sistemin shëndetësor, skemat e pensioneve dhe, rrjedhimisht, rritje të shpenzimeve, të cilat mund të sjellin vështirësi në kontrollimin e deficitit buxhetor.

Në Shqipëri duket sikur kalkulime më të kujdesshme bëhen rreth numrit të votuesve të rinj në një zonë dhe se cila është mënyra më e mirë për ti targetuar ata. Në një sistem elektoral ku për zgjedhjet e përgjithshme garantohet një rezultat shumë i ngushtë midis fituesit dhe humbësit, votuesit e rinj gjithmonë e më shumë do të kenë një rol të rëndësishëm në rezultatin përfundimtar. Nëse do të marrim rininë si të tërë, është e dukshme se ky grupim mund të vendosë fatet e zgjedhjeve. Duket qartë se dhe koha ku kryetarët e bashkive zgjidheshin me rezultate të thella ka ikur. Edhe në qytete të mëdha, si Tirana, pritet që rezultati i zgjedhjeve të jetë i ngushtë, vetëm pak mijë vota për fituesin. Ky fakt i bën kandidatët të mendojnë për çdo votë të mundshme dhe logjika të çon drejt votuesve të rinj.

Deri sot, arsimi, si një mjet për të targetuar rininë, është përdorur më shumë gjatë zgjedhjeve të përgjithshme. Ndërkohë, tradita gjatë zgjedhjeve lokale ka qenë ajo e përmendjes së arsimit parauniversitar dhe sistemit parashkollor, ku të targetuar kanë qenë prindërit. Kjo për vetë faktin që janë në kompetencë të drejtpërdrejtë të pushtetit lokal. Zgjedhjet e 8 majit kanë sjellë një ndryshim në përdorimin e arsimit, si mjet për të targetuar votuesit e rinj. Përfshirja e politikave mbështetëse për sistemin universitar ka qenë një mënyrë për ti targetuar direkt votuesit e rinj. Kuptohet që votuesit e rinj joshen dhe me premtime të tjera, ambiente sportive, qendra sociale për të rinjtë, bursa studimi, krijimi i lidhjeve me tregun e punës, intershipe etj. Por, më në fund, arsimi universitar është kthyer në vëmendje të pushtetit lokal.

Në Shqipëri, pjesa më e madhe e universiteteve dhe studentëve janë përqendruar në qytetin e Tiranës. Kjo nuk është një gjë pozitive për zhvillimin e balancuar në të gjithë Shqipërinë, por është një realitet pozitiv për kryeqytetin. Ky fakt e bën sektorin e arsimit një nga industritë kryesore për Tiranën. Arsimi i lartë ka të përfshirë direkt më shumë se njëqind mijë studentë, pedagogë dhe staf administrativ. Ky numër kaq i madh individësh të përfshirë i jep arsimit të larë një rëndësi të jashtëzakonshme.

Kjo rëndësi nuk vjen vetëm nga impakti direkt që ka mbi ekonominë lokale, përgjithësisht në terma të konsumit që gjenerohet dhe në cilësinë e burimeve njerëzore të punësuar me kohë të pjesshme, që i ofrohet tregut të punës. Por, në terma afatmesëm, mund ta kthejë Tiranën në një destinacion për vendosjen e kompanive që synojnë si treg rajonin e Ballkanit dhe që kanë një profil të orientuar drejt shërbimeve. Tirana, si qytet, asnjëherë nuk mund të pretendojë zhvillim të bazuar në industri dhe fabrika, aq më tepër që bizneset prodhuese orientohen në segmentin Tiranë-Durrës dhe shumë shpejt, me përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan, do të kenë dhe një alternativë tjetër. Gjithashtu, sektori i ndërtimit, me kalimin e viteve, do ta ulë peshën specifike që zë në ekonominë lokale. Zhvillimi afatgjatë i Tiranës do të jetë në sektorët e shërbimeve dhe këta sektorë kanë nevojë për burime njerëzore të mirëkualifikuara dhe për të arritur këtë, roli i universiteteve është jetik. Tirana duhet projektuar në të ardhmen si një ndër metropolet më të rëndësishme të rajonit, i cili ofron avantazhe konkurruese për ato biznese që zgjedhin Tiranën dhe, mbi të gjitha, për qytetarët që jetojnë në këtë qytet. Tirana duhet ta projektojë veten si një ndër qendrat universitare elitare të Ballkanit dhe të rrisë ndjeshëm numrin e studentëve të huaj që zgjedhin këtë qytet për të studiuar. Ky duhet të jetë vizioni i kujtdo kryetar bashkie. Eksperienca e deritanishme ka treguar se vëmendja e pushtetit lokal në drejtim të arsimit universitar ka qenë pothuajse inekzistente. Qëndrimi ka qenë sikur qyteti i Tiranës po u bënte favor të madh universiteteve që po i mbante në shtëpinë e vet. Në fakt, është e kundërta, çdo qytet duhet të ishte më shumë se i lumtur për prezencën e universiteteve. Këtë duket se e kanë kuptuar më mirë qytetet të cilat nuk kanë pasur traditë në arsimin e lartë.

Përkujdesjen që janë duke treguar kandidatët për kryetar Bashkie në qytetin e Tiranës kundrejt universiteteve është një sinjal pozitiv, por artikulimi afatgjatë për universitetet ka munguar. Kandidatët janë përqendruar te kampuset universitare, të cilat kanë qenë një kërkesë disavjeçare e universiteteve publike në Tiranë. Në fakt, Universiteti i Tiranës dhe ai Politeknik kanë në pronësi truallin ku dëshirojnë të ndërtojnë kampuset universitare dhe vetëm një kryetar bashkie i çmendur mund të mendoi për mosdhënien e lejes së ndërtimit. Minimumi që mund të bëjë kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës është të përshpejtojë burokracitë përsa u përket procedurave të lejeve të ndërtimit. Premtimi për kampuse është një premtim me kosto dhe risk zero për çdo kandidat, pasi trualli është i universiteteve dhe financimin e ka qeveria qendrore. Këtu mund të thuhet që shumë shpejt qeveria qendrore do të gjendet përballë një presioni shumë të madh nga të gjitha universitetet, pasi kudo është premtuar kampuse universitare. Dy prej tyre janë në Tiranë, pastaj vjen Vlora, Elbasani dhe Durrësi. Në total bëhen pesë kampuse universitare dhe në total një investim afërsisht 50 milionë eurosh.

Të dy kandidatët flasin për krijimin e bizneseve të reja, por nuk specifikojnë se nga cili sektor do të jenë këto biznese të reja. A do të ketë biznese të reja në fushën e teknologjisë së lartë? Këtu universitetet mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Ato, në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe me partnerë të tjerë, mund të krijojnë inkubator për bizneset e reja, të cilat do të rrisnin numrin dhe cilësinë e tyre. Këto janë praktika të implementuara dhe që kanë rezultuar të suksesshme në metropole të ndryshme në të gjithë botën.

Patjetër që përgjegjësia për arsimin e lartë bie mbi qeverinë qendrore, por universitetet duhen perceptuar si një pjese ekzistenciale për të ardhmen e Tiranës, dhe jo si godina të cilat janë të mbushura me votues. Ato duhen perceptuar si godina të mbushura me ide, njohuri, energji, optimizëm dhe me idealizëm që karakterizon rininë. Tradita e krijuar deri tani ka qenë negative. Le të shpresojmë që këto zgjedhje lokale do të sjellin ndryshimin e madh në mentalitet! Arsimi të shihet si burimi kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm për Tiranën, dhe kjo nuk është detyrë vetëm e pushtetit qendror, por një rol të rëndësi