Një ditë pas heqjes së sekuestros nga pronat e Erion Isufit, nga ana e prokurorisë së Tiranës nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me dëmshpërblimin e këtij shtetasi për dëmin e shkaktuar. Për 10 ditë, për dy nga pronat ku ortakë janë shtetasit Erion Isufi dhe Denis Teqja, kanë qenë nën masën e sekuestros, duke bllokuar komplet zhvillimin e aktivitetit ekonomik në to. Shkak ka qenë vërtetimi nëse Erion Isufi ka pasur ose jo si bashkortak në këto prona shtetasin boshnjak Damir Fazlliç. Mirëpo, pavarësisht deklarimeve të shtetasit Isufi, nga ana e organit të akuzës së kryeqytetit janë vënë nën sekuestro këto dy prona, “Global Construction” sh.a dhe “Reno Albania” sh.p.k, duke bllokuar llogaritë bankare dhe duke paralizuar ecurinë e aktivitetit ekonomik. Pas 10 ditësh verifikime dhe marrjes në pyetje të bashkortakut Teqja, dy prokurorët e çështjes kanë vendosur heqjen e sekuestros dhe zhbllokimin e pasurive, për të lejuar ecurinë e aktivitetit. Ndërkohë që, në këto 10 ditë, bllokimi i aktivitetit të dy kompanive ka sjellë edhe humbjet e vetë për të cilat detyrimisht përgjegjësinë duhet ta mbajë organi i akuzës. Tashmë, dy pronarët e kompanive “Global Construction” sh.a dhe “Reno Albania” sh.p.k janë në pritje të një reagimi nga prokuroria e Tiranës për dëmshpërblim të dëmit të shkaktuar dhe dëmit të munguar për bllokimin e padrejtë për 10 ditë të aktivitetit të tyre. Ndërkohë që prokurorët kanë vendosur heqjen e sekuestros nga llogaritë bankare të Isufit dhe detyrohen bankat e nivelit të dytë të zbatojnë vendimin, në drejtorinë e Përmbarimit në kryeqytet mësohet zyrtarisht se nga gjykata nuk ka ardhur asnjë vendim për verifikim pronash të shtetasit Damir Fazlliç apo ortakëve të tij. Sipas drejtuesit të Përmbarimit, kjo është një procedurë që ndiqet për çdo person që është nën hetim, ndërkohë që është hera e parë në rastin e Fazlliçit që nga gjykata nuk ka dalë një vendim për verifikim të pasurive të tij për llogari të prokurorëve të çështjes.