Zhgënjimi i Xhani De Biazit, i asaj që pa në fushë të reflektohej nga ekipi i drejtuar prej tij nw miqësoren me Gjeorgjinë që përfundoi 2-2, nuk mund të fshihej pas ndeshjes.

Pikërisht këtë përshtypje la trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi, në daljet e tij publike, menjëherë pas ndeshjes miqësore, me Gjeorgjinë. Madje as barazimi i arritur falë rekuperimit të dy golave në minutat e fundit, nuk e kanë ndihmuar De Biasin të zbusë qëndrimin e tij ndaj lojës zhgënjyese të kuqezinjve.

"Me kohën që kishim në dispozicion për të përgatitur këtë takim, mes festës në Kosovë dhe asaj për nderin e Kombëtares, nuk mund të pretendonim që të merrnim maksimumin në këtë testim, por asnjëherë nuk e pata menduar këtë paraqitje. Tentova disa module loje, duke e nisur me 4-4-2, për të ndryshuar më pas disa herë gjatë lojës me synimin për të qenë më ofensiv, por nuk shihja asgjë tjetër veç se një ekip që arrinte gjithmonë i dyti te topi", u shpreh trajneri në lidhje me mënyrën e përgatitjes së kësaj miqësoreje.

"Nuk mund ta konsideroj këtë këtë rezultat me shijen e barazimit apo të fitores, por thjeshtë me shijen që më la skuadra kur nga 90 minuta lojë, u kujtua të luajë vetëm në 10 minutat e fundit. Është e papranueshme që skuadra të gjejë motivimin vetëm kur luan ndaj Francës apo ekipeve të tjera të mëdha, pa ditur të motivohet përballë kundërshtarëve si Gjeorgjia", thekson De Biasi.

Edhe pse e ka përjetuar me shumë tension dhe i mbizotëruar nga zhgënjimi, trajneri kuqezi duket se ka mundur të identifikojë edhe ndonjë element që ka shkëlqyer mbi të tjerët, ndonëse nuk preferon të përmendë emra. "Në këtë ndeshje nuk synova të eksperimentojë për të testuar më të rinjtë dhe as të kolaudojë Kombëtaren që do të shkojë në Europian, por thjeshtë të shikoja ekipin që të hynte në fushë për të bërë diçka ndryshe nga kjo që serivir sot. Kishte prej atyre që luajtën dhe dhanë gjithçka kishin në fushë, sikurse dhe nga ata që nuk ishin në formë", përfundoi De Biasi.