POGRADEC/ Drejtoria e shkollës së fshatit Rëmenj është përfshirë nga flakët gjatë orëve të natës. Probleme të mëdha për rreth 200 nxënës





POGRADEC- Përfundon në flakë një shkollë 9-vjeçare në rrethin e Pogradecit, ndërsa ka përfunduar i djegur i gjithë dokumentacioni i shkollës. Policia e Pogradecit ka nisur hetimin për një zjarr të rënë gjatë natës së kalur, ndërkohë që pas pistës për ngjarje aksidentale, nuk përjashtohet mundësia për një zjarr të qëllimshëm për të zhdukur gjurmët e regjistrave dhe amzës së kësaj shkolle.





Ngjarja e cila ka hije dyshimi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës në fshatin Rëmenj të rrethit të Poogradecit. Shkolla në të cilën mësojnë rreth 200 nxënës është përfshirë nga flakët, që kanë kthyer në hi në vetëm pak minuta gjithë dokumentacionin dhe arkivin e kësaj shkolle.





Ajo që hedh më tepër hije dyshimi për këtë zjarr është fakti se flakët e tij kanë ardhur nga drejtoria e shkollës aty ky qëndronin regjistrat e këtij institucioni, por dhe i gjithë dokumentacioni më i vjetër i saj. Dyshohet që një sobë druri e lënë ndezur të ketë shkaktuar dhe zjarrin, ndonëse pritet që ekspertiza të saktësojë shkaqet reale të këtij zjarri. Dëmet në shkollë sipas burimeve të policisë lokale janë të shumta.





Hetimet do të zbardhin misterin e këtij zjarri, ndërkohë që gjatë së martës është pezulluar dhe procesi mësimor. Nxënësit e kësaj shkolle nuk kanë mundur të vijojnë mësimin rregullisht si çdo ditë tjetër, ndërkohë që kjo anomali duket se do t'i shoqërojë për një kohë të gjatë.





Djegia e shkollës tashmë ka krijuar probleme, të cilat lidhen me të gjithë dokumentacionin bazë të tij, nga i cili nuk ka shpëtuar asgjë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Korçës, zjarri ka rënë rreth orës 4:00 të mëngjesit të së martës. Banorë të fshatit kanë parë flakët e zjarrit që dilnin nga drejtoria, e cila ndodhej në katin e dytë të godinës.





Ata janë alarmuar dhe kanë kërkuar ndihmën e menjëhershme të policisë. Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur me më shumë se një orë vonesë, në një kohë kur flakët kishin përpirë gjithçka. Megjithë ndërhyrjen e tyre nuk është bërë i mundur shpëtimi i regjistrave dhe dokumenteve arshivorë të shkollës, bashkë me disa orendi të klasave që nuk i kanë shpëtuar vatrës së zjarrit.





Djegia e pjesës kryesore të katit të dytë të godinës dykatëshe të kësaj shkolle ka lënë pa mësim rreth 200 nxënës, ndërsa problemet me procesin mësimor do të vazhdojnë deri në kthimin në normalitet të ambienteve të shkollës.





Sipas drejtorit të kësaj shkolle, Eqrem Baçi, për ditët e ardhshme nxënësit do të zhvendosen për mësim në një tjetër shkollë disa kilometra larg. Sipas tij, nxënësit e Rëmenjit do të shkojnë në fshatin Starovë për të kryer procesin mësimor, ndonëse kjo do të krijojë shqetësime për ta, për vetë largësinë edhe kushtet që iu duhet të përballen në klasa me një dyndje të jashtëzakonshme të nxënësve.