Kimete-Berisha-150x150Nga Kimete Berisha


 


Ditën e Festës së Fitrit, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, nuk ua uroi myslimanëve të botës Festën e tyre, por e shfrytëzoi atmosferën festive që të ngushëllojë familjet e të vrarëve para 15 vitesh në ambasadat amerikane në Tanzani dhe në Kenia.


Ministri i ngushëllimeve rajonale vendosi që të flasë për vdekjen edhe në ditën e Festës dhe anglisht cicëroi në Twitter:  I want to remember & honor those who died 15 years ago in the US Embassy bombings in Tanzania & Kenya. Our thoughts are with the families.


Në ditë festash kujtohen të vdekurit dhe të rënët, vizitohen varrezat familjare, por asnjëherë shteti nuk vajton në ditë festash, në mënyrë që mërzia mos t’ia marrë anën gëzimit të njerëzve.


Prandaj, kur bëhen kësi lloj ngushëllimesh, menjëherë të shkon mendja te një kalkulant që shfrytëzon vdekjen tragjike të njerëzve para 15 vjetësh, për të ndërtuar karrierën e tij përmbi vuajtjen e huaj.


Ngushëllimet formale të ministrit shprehin ambicien e tij të madhe për t’u pëlqyer nga Departamenti i Shtetit Amerikan, me shpresë se del dikush nga spiunët e CIA-s dhe ia përcjell cicërimat nekrofile ministrit Hoxhaj, shkon e i tregon Presidentit Obama, e pastaj Presidenti gëzohet që ministri i Jashtëm i Kosovës në vend se të urojë, ai ngushëllon edhe në ditën e Festës.


Njerëzit vdesin edhe në ditë festash, por të ngushëllosh për vrasjet që kanë ndodhur para 15 vjetësh për ta injoruar festën e myslimanëve të botës është një taktikë patetike dhe përpjekje e shkretë e ministrit Hoxhaj.


Në të njëjtën ditë, Enver Hoxhaj e lëshoi edhe një bombë, kur gjatë shprehjes së tij të pakënaqësisë lidhur me vizitën e shefit të UNMIK-ut në Rumani, tha se Farid Zarif s’ka pasur çfarë të kërkojë në Rumani, në cilësinë e ministrit të Jashtëm të OKB-së.


Se, dihet kush është ministër i Jashtëm dhe kush flet për Kosovën në Rumani, të gjithë e dinë kush është ministër i Jashtëm i Kosovës, përveç OKB-së që e ka ministrin e vet të Jashtëm për Kosovën, Farid Zarifin.


Se, sipas tij, UNMIK-u po e pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB. UNMIK-u është organizatë e OKB-së.


Ministrit Enver Hoxhaj i lumtë që i zbuloi qëllimet e errëta të OKB-së ndaj OKB-së. OKB-ja, tha, po e pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB.


Natyrisht që po. Ban Ki-moon është dualist, është i mençur, se ia doli ta bëjë OKB-në e bashkuar organizatë ku vendoset individualisht, dhe ta bëjë OKB-në që të veprojë kundër OKB-së.


E ka prurë punën deri këtu, ku OKB-në nuk e kupton më as ministri Enver Hoxhaj, i cili thotë se OKB-ja po e pengon Kosovën të anëtarësohet në OKB.


Kryeministri Thaçi që mbante shpresa në ta, i kishte sytë më së shumti te ish- Profesor Balhtazari (Hajredin Kuçi) dhe Enver Hoxhaj, po bindet këtyre ditëve se ata gjithnjë e këndojnë këngën e njëjtë- si zogjtë.