Bulqizë


Më në fund pas gati një viti, ka rinisur puna në galeritë e Zonës D të minierës. Puna në këto galeri është ndërprerë që nga korriku i vitit të kaluar kur 80 minatorët që punonin në të, iu bashkëngjitën grevës së përgjithshme të zhvilluar në minierën e Bulqizës, kundër ACR-së, për motive të kushteve të punës dhe rritjes së pagës. Por edhe pse u punua për përmirësimin e kushteve të sigurisë teknike në këto galeri, rinisja e punës vazhdoi të zvarritet deri në ditën e djeshme. Kjo për faktin se këto galeri në pamundësi për tu menaxhuar nga kompania e huaj koncesionare ACR, iu dhanë prej saj me nënkoncesion një tjetër firme të huaj turke për shfrytëzim, e cila për arsye që nuk u bënë asnjëherë të qarta, zvarriti deri në ditën e sotme rifillimin e punës në to. Pas protestave të vazhdueshme të minatorëve për rifillimin e punës dhe kërcënimit të tyre se në rast të kundërt ata do futen vetë në galeri për të punuar, vetëm gjatë ditës së sotme është bërë i mundur rifillimi i punës në këto galeri. Burime nga kjo zonë bëjnë me dije për Shqip, se puna ka nisur me grupe minatorësh, ku për disa ditë do punohet për përgatitjen e fronteve të punës dhe më pas do punohet për shfrytëzimin e mineralit. Kujtojmë se gjatë gjithë kësaj periudhe papunësie, minatorët e Zonës D, janë paguar me 50% të pagës, gjë e cila shkaktoi mjaft probleme financiare e sociale për familjet e këtyre minatorëve.


h.l.


Zona D, rinis puna në minierë burimi: Gazeta Shqip